Ende po bëhen analiza për çmimin e kartonit të gjelbër


Ministria e Financave, bashkë me Agjencinë për Mbikëqyrje të Sigurimeve dhe Industrisë së Sigurimeve, ende po i bëjnë analizat për korrigjimin e çmimit të kartonit të gjelbër.

Këtë e tha kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrje të Sigurimeve Klime Popovski,  i cili nuk precizoi se nëse ka korrigjim kur do të fillonte.

“Po bëhen analiza nga ana e Ministrisë së Financave, Industrisë së Sigurimeve, si dhe Agjencisë për Mbikëqyrje të Sigurimeve me qëllim që të shohim se a ekzistojnë  përpjekje reformuese në pjesën e korrigjimeve të caktuara si kartoni i gjelbër. Megjithatë, ajo që dëshirojmë të arrijmë si cak final, është liberalizimi i çmimit të auto përgjegjësisë”, deklaroi Popovski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë shënimit të sotëm të 10 vjetorit të ekzistimit të AMS-së.

Ndryshimin e çmimit të kartonit të gjelbër  e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaevi në tribunën e partisë muajin e kaluar. Siç tha, punohet në uljen e çmimit të kartonit të gjelbër për sigurimin e automjeteve.

“Dëshirojmë ta ulim çmimin e kartonit të gjelbër, dëshirojmë t’i thjeshtësojmë pagesat rrugore, të cilat paguhen për rrugë, dëshirojmë ta racionalizojmë dhe thjeshtësojmë regjistrimin e automjeteve edhe me atë të kursejmë shpenzimet e qytetarëve të ju kthejmë para qytetarëve”, tha Zaevi në tribunën qytetare “Në rrugë të drejtë” në Kumanovë muajin e kaluar.

Në vend tani shoferët kanë mundësi që të nxjerrin karton të gjelbër bashkë me regjistrimin e automjeteve në afat prej një viti dhe në afat njëmujor.

Çmimi i kartonit të gjelbër për një muaj është 30 euro për automjete deri në  66 КW dhe 60 euro për mbi 66 КW. Çmimi i kartonit të gjelbër për një vit është 3690 denarë, gjegjësisht 5.536 denarë.