Ekspertët: Gjuha shqipe të njihet zyrtarisht në Kushtetutë


Gjuha që e flasin 20% e popullatës është term jo i drejtë për gjuhën shqipe dhe një emërtim të këtillë nuk mund ta hasësh në asnjë vend të botës. Ky ishte theksi i panelit shkencor “Gjuha shqipe në Maqedoni”, e organizuar nga Instituti i Trashigimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë. Albanologu Zeqirja Ibrahimi thotë se çështja e gjuhës shqipe nuk është çështje e lehtë për t’u rregulluar, megjithatë ai thotë se gjuha nuk duhet të ndërlidhet me simbolet shtetërore.

Zeqirja Ibrahimi, albanolog

“Çështja e shqipes në Maqedoni nuk është çështje e gjuhëtarëve, aq më pak është çështje e politikanëve. Është çështje e historianëve dhe e sociologëve, për shkak se është e lidhur shumë ngusht me perceptimin e nacionalizmit që e kanë kombet që jetojnë në Maqedoni. Sa i përket kombit maqedonas, ata e shohin sikur që kanë ndodhur në të kaluarën që të krijohen shtete, kombe me identitete të fuqishme etnike, gjuhësore, që të bëhet një krahasim. Ata e shohin gjuhën sikur e shohin flamurin dhe stemën”.

Këshilltari shkencor, Qemal Murati, thotë se gjuha e tjetrit duhet të respektohet dhe aq më shumë kjo vlen për etninë maqedonase, pasi sipas tij, kjo aspak nuk e rrezikon identitetin dhe gjuhën e tyre, ashtu siç ata paragjykojnë.

Murati shprehet se në Maqedoni, gjuha shqipe vazhdon të shihet si një gjuhë e armikut dhe e primitivizmit, ndërkaq thekson se me ligjin e ri i cili akoma nuk ka hyrë në fuqi, gjuha shqipe nuk do të zyrtarizohet, por vetëm do të avancohet.

QEMAL MURATI, KËSHILLTAR SHKENCOR NË ITSHKSH

“Situata e sotme linguistike në Maqedoni nuk e reflekton aspak realitetin multietnik e multikulturor të këtij vendi. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i miratuar nga Parlamenti i Maqedonisë edhe varianti më i ri i 2018-tës, në fakt e avancon shqipen si gjuhë, por nuk e zyrtarizon. Me këtë ligj, gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare, por është gjuhë e dorës së dytë”.

Profesori universitar Avzi Mustafa duke u bazuar në një analizë të realizuar kohë më parë, u shpreh se komuniteti shqiptar është shumë më shumë tolerant sesa ai maqedonas.

AVZI MUSTAFA, PROFESOR UNIVERSITAR

“Shqiptarët janë më tolerant ndaj gjuhës maqedonase. Nëse në një grup ka vetëm një maqedonas dhe të tjerët janë shqiptarë, gjuha zhvillohet në gjuhën maqedonase. Një maqedonas edhe pse e njeh gjuhën shqipe vazhdon përsëri të flasë në maqedonisht”.

Panelistët u shprehën se ky debat ka për qëllim që të kontribuojë në frymën e shoqërisë multietnike edhe të bëjë që gjuhët të shihen si mundësi për më shumë komunikim ndërmjet etnive në Maqedoni. Sipas tyre, kjo do t’i thyej paragjykimet dhe stereotipet dhe do ta përgatisë vendin për t’iu bashkuar familjes së Bashkimit Evropian.  /SHENJA/