Dëshmitari: Dëgjoja thirrje, t’i tregojmë Selës se a ekzistojnë maqedonasit!


Në seancën e sotshme gjyqësore për dhunën në Kuvend më 27 prill, dëshmitari Antonio Koçkov njohu disa prej të akuzuarve për dhunën ndaj Ziadin Selës. Duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Koçkov shpegoi se Sela ka qenë i rrahur brutalisht dhe ka besuar se ai ka qenë i vdekur.

Dëshmitari tha se ka hyrë në sallë vetëm që ta shohin, sepse ashtu duhej të ishte, duhej të dëshmonte se ishte aty dhe pasi nuk e njihte mirë Kuvendin, ishte humbur në sallën e gazetarëve ku ka ndodhur përgjakja e Selës.

“Dëgjoja thirrje “Mbyte shqiptarin”, “T’i tregojmë këtij se a ekzistojnë maqedonasit”.

Në fillim isha në largësi prej 10 metrash e pastaj kur dëgjova zëra dhe pashë afro dhjetë veta që kishin rrethuar dikë dhe e godisnin sa kishin forcë, u afrova. E pashë Ziadin Selën në tokë. E godisnin me shqelma se s’kishte hapësirë për diçka më tepër.

“Ai nuk jepte shenja jete, trupin e kishte të lëshuar, fytyrën, kokën e deformuar. Dikush tha, vdiq njeriu, dhe thanë duhet ta largojnë jashtë. Sipas vlerësimit tim, ai edhe me dy tre goditje mund të vdiste. Unë në atë moment mendoja se ka vdekur tashmë. Përshtypja ime ishte se atë ditë, dikush duhej të vdiste. Ashtu ishte atmosfera”, ka deklaruar Koçkov. / Shenja TV