Zëra të “besatarëve”: Mos hyni në Qeveri se do digjeni para zgjedhjeve?!


Aktivistë të Lëvizjes BESA shkruajnë në rrjetet sociale se nuk duhet të hyjnë në Qeveri, pasi që ky subjekt do të marrë fund. Por edhe përbrenda kryesive të dy fraksioneve ka zëra që janë kundër përfshirjes së tyre në Qeveri, informon INA.

Sipas këtyre zërave, kryeministri Zaev nuk është transparent dhe se në disa raste është dëshmuar me taktizimet dhe lojën e tij të “qengjit të butë”, ndërsa në prapaskenë duke realizuar agjendën politike të LSDM, e cila sërish po mobilizohet dhe po synon vota shqiptare tek elektorati shqiptar.

Nga ana tjetër, nga dyja krahët e Lëvizjes BESA kanë theksuar se janë në pritje të ftesës së radhës për të biseduar për mundësinë e përfshirjes në Qeveri. Zëdhënësi i njërit nga krahët e BESËS, Ohran Murtezani ditë më parë deklaroi për 1TV se deri tani nuk janë ftuar nga kryeministri për bisedime, por janë të gatshëm për të mbështetur reformat, që nënkupton edhe përfshirjen në Qeveri në rast të marrëveshjes. Po ashtu edhe nga krahu i BESËS së Kasamit që tashmë pretendon se ajo është bartëse legjitime e kësaj partie kanë theksuar se do të shqyrtojnë çdo ftesë apo propozim për hyrje në Qeveri. Deri tani vetëm ASH nuk është përmendur si mundësi e përfshirjes në koalicionin e zgjeruar të paralajmëruar tashmë disa muaj nga kryeministri Zaev.