Vizita e Nimicit në Shkup, temë kryesore në Greqi


Vizita e ndërmjetësit të OKB-së Nimic në Shkup, top temë në mediat greke. “Athina e prezantoi propozim-marrëveshjen”; “Metju Nimic në Shkup me propozimet e Kocijasit”; “Nimic: Koha për vendime”; “Negociata pa afat kohor”; “Athina dhe Shkupi në ujërat ‘e thella’ të marrëveshjes” janë vetëm disa nga titujt në mediat greke. Kështu për shembull, Sky TV shkruan se, ndërmjetësuesi i OKB-së, Metju Nimic shkon në Shkup me propozimet e Kocijasit, për një marrëveshje miqësore, e cila do të shërbejë si një tekst i përhershëm për t’i dhënë fund ndarjeve mes Greqisë dhe IRJM-së.

Tanea shkruan se ndryshimet kushtetuese janë formula e zgjidhjes së çështjes. Madje disa ndryshime duhet bërë para se të ndodhë anëtarësimi i IRJM-së në NATO. Duke cituar burime diplomatike shkruan se termi “Maqedoni” pa dyshim se do të jetë pjesë e zgjidhjes, ndërsa se më e pranueshme nga opsionet e ofruara duket se është “Gorna Makedonija”. Sipas Taneas“Gorna Makedonija” është shembulli që Nimic kishte marrë derisa kishte folur për zgjidhje racionale të mundshme, në takimet në Athinë.

Zv/ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrugalos tha se arritja eventuale e një zgjidhjeje për emrin është në interes kombëtar të Greqisë dhe u shpreh se nëse e njëjta do të arrihet do ta ketë mbështetjen e nevojshme në Parlament.

Ndërkaq Kryepeshkopi i Athinës, Jeronimos njoftoi se Kisha e Greqisë do të marrë pjesë në protestën e 4 shkurtit në Athinë, kundër përdorimit të termit “Maqedonia” në emrin e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Televizioni ERT raporton që Jeronimos të ketë thënë se do të merr pjesë në protestë, me kusht që e njëjta të jetë paqësore, pa cenuar identitetin politik të ndonjë partie politike. / Alsat -M