Tahiri: Ivanov e shkelë Kushtetutën, “harron” se Maqedonia është shtet parlamentar

Profesori universitar Sefer Tahiri për Lajm TV ka komentuar injorimin e presidentit Gjorge Ivanov për ta nënshkruar ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ligj ky shumë i përfolur në opinion dhe i analizuar nga shumë këndvështrime. Sipas profesorit Tahiri, mosnënshkrimi i ligjit edhe për së dyti nga ana e presidentit është shkelje flagrante e Kushtetutës së Maqedonisë dhe mosrespektim i zërit të qytetarëve.

Njohësi i rrethanave politike Sefer Tahiri ka sqaruar se presidenti i Republikës në bazë të kushtetutës së Republikës së Maqedonisë pas leximit të tretë të një ligji dhe miratimit të tij në kuvendin e Maqedonisë është i detyruar, pohon ai, Kushtetuta e obligon që ta nënshkruaj dekretin për shpalljen në Gazetën Zyrtare dhe në këtë drejtim vlerëson ai që presidenti nuk ka pasur rrugë tjetër. Sipas tij, kjo nuk është çështje dëshirës apo mos dëshirës së tij.

“Nuk është çështje se ai vlerëson se procedura ka qenë në rregull apo jo, sepse presidenti i Maqedonisë pas miratimit të një ligji pasi ta kalon fazën e tretë, pasi të shterren të gjitha mekanizmat parlamentar për miratimin e një ligji nuk lihet hapësirë ose opsion tjetër përveç se ta nënshkruajë. Por, ja qe ne kemi një president i cili tenton që të vendoset mbi Kushtetutën e vendit dhe ajo më rrezikshme, më eklatante ku tenton të vendoset mbi sistemin juridik, kushtetues dhe mbi sistemin politik të Maqedonisë dhe unë konsiderojë që kjo është një vullnetarizëm i tij i skajshëm, i cili mendoj që do të ketë pasoja në të ardhmen. Në kuptimin që ndoshta presidentë të tjerë të ndjekin shembullin e tij”, tha për Lajm Tahiri.

Ai konsideron se kjo është një praktik shumë negative e cila nuk duhet të kopjohet, sepse Kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit parashikojnë që kur ligji kalon në fazën e tretë nuk ka mundësi të ketë debat parlamentar mbi amandamentet e propozuara, sepse ky debat mund të lejohet mbi amandamentet, të cilat janë miratuar në fazën e dytë dhe në fazën e dytë siç e dimë nuk ka pasur asnjë amandament të miratuar nga parlamenti.

Miratimi i ligjit është bërë në kuadër të normave dispozitave ligjore dhe Kushtetutës së Maqedonisë. Dhe, si i tillë duhet të shpallet në gazetën zyrtare. Pra, konsideroj që presidenti në këtë rast, sepse ne nuk jemi sistem presidencial, Maqedonia është sistem parlamentar, sistem me demokraci parlamentare dhe me disa elemente presidenciale. Dhe, elementet e sistemit presidencial që do të thotë se presidenti zgjedhet në zgjedhjet e drejtpërdrejta nga qytetarët. Megjithatë, pozicioni i tij në sistemin politik është shumë i dobët meqë ai ka kompetenca, të cilat janë të mangëta. Kompetencat nuk i japin fuqi të madhe ekzekutive në këtë rast të vendos në një ligj që do të jetë pjesë e rregullimit apo rendit juridik, sepse kjo nuk është detyrë e tij.

Presidenti në Maqedoni ka kompetenca formale dhe ky akt pra i nënshkrimit të dekretit për shpalljen e ligjit është kompetencë ceremoniale”, deklaroi më tutje Tahiri.
Ai veçon se presidenti nuk mund të vendoset mbi parlamentin, mbi vullnetin e shumicës së qytetarëve.
“Kryetari i kuvendit duhet ta nënshkruaj ligjin, ta dorëzoj tek Gazeta zyrtare dhe të shpallet në Gazetën zyrtare. Me ç’rast ligji bëhet i vlefshëm, bëhet pjesë e sistemit juridik. Bëhet obligim dhe detyrim për institucionet tjera. Nuk ka asnjë moment dilemë duhet apo s’duhet kjo të ndodh. Sepse, në këtë rast nuk e shkel parlamenti procedurën kushtetuese dhe juridike, por është president është ai i cili e shkel”, përfundon Tahiri.

Sot ka skaduar afati kur presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov është dashur të nënshkruaj ligjin për përdorimin e gjuhëve. Mirëpo, presidenti u ka ngelur besnik fjalëve të tij, të cilat i tha pas miratimit të ligjit.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrën se si është hartuar, por edhe votuar do të shkaktoj bllokadë të plotë në punën e institucioneve. Në kushte të bllokadës së institucioneve, gjasat janë të mëdha që të hapet edhe çështja e ridefinimit të rendit tonë kushtetues”, ka thënë Ivanov.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo i drejtë, ligj represiv, që favorizon vetëm se një gjuhë. Një ligj i tillë do të shkaktoj tensione dhe paraqet kërcënim për bashkëjetesën ndëretnike. Si Presidenti i shtetit këtë unë nuk do ta lejoj. Andaj, nuk do të nënshkruaj dekretin për shpalljen e këtij ligji të miratuar në këtë formë”, ka deklaruar presidenti Ivanov në një paraqitje drejtuar qytetarëve të Maqedonisë.