Reformat në Maqedoni, peng i kuadrit të vjetër dhe partiak


Zgjedhjet e gabuara kadrovike, që drejtojnë institucione të caktuara shtetërore, ka bërë që realizimi i reformave të paralajmëruara nga Qeveria, i njohur si plani 3 – 6 – 9, të ecë me një ritëm të ngadalësuar, thonë njohësit e çështjeve politike.

Këto reagime pasojnë delegimin në krye të institucioneve shtetërore nga partia politike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, kuadro që kanë qenë pjesë e qeverisjes pothuajse një dekadë me OBRM-PDUKM-në, e cila drejtohej nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, si dhe emërimi i Llazar Elenovskit për përfaqësues special në Bruksel për integrimet në NATO. Emërimi Elenovskit, ish – ministër i Mbrojtjes në Qeverinë Gruevski, është bërë me propozim të partisë shqiptare në pushtet, BDI.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakoski, tha se “Lazar Elenovski bazuar në përvojën që ka, do të kontribuojë në procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë në NATO” dhe kjo thonë ka qenë vendimtare gjatë emërimit të tij.

Qeveria e Zaevit ka marrë kritika të shumta në rrjetet sociale, gjithashtu edhe për vendosjen e ish-ministrit për Investime të huaja, Gligor Tashkoviq, të Qeverisë Gruevski, në postin drejtorit në Fondin për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, përmes së cilit institucion ndahen mjete nga arka e shtetit për bizneset e vogla dhe ato të mesme.

Sefer Tahiri, analist politik, për radion Evropa e Lirë thotë se edhe kjo përbërje qeveritare gjatë përzgjedhjes kadrovike nuk ka arritur të jetë imune nga sindroma e i infiltrimit të militantëve që në një formë apo tjetër, kanë ndihmuar në fitoren në zgjedhje të partive në Qeveri.

“Edhe kjo Qeveri, edhe pse veten e përcakton si Qeveri reformuese njëjtë sikurse qeveritë e tjera, ka problem sa i përket angazhimit të njerëzve, të cilët zgjidhen për të drejtuar institucionet jo sipas meritave profesionale, por angazhimit partiak gjatë procesit të zgjedhjeve.

Kjo praktikë konsideroj se duhet të ndryshohet, sepse në poste apo pozita konkrete në krye të institucioneve të caktuara të shtetit, për t’u realizuar reformat, nevojitet të zgjidhen njerëz përkatës me bagazh profesional”, vlerëson Tahiri.

Ai thekson se problem më vete paraqesin dhe struktura të caktuara që janë pjesë e administratës, që janë të afërta me partinë maqedonase në opozitë OBRM-PDUKM, që e pengojnë realizimin e reformave.