Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës
Kryeministri i Kosovës ka dhënë dorëheqje, lajmin e ka konfirmuar vetë Ramush Haradinaj në një konferencë për mediat në përfundim të mbledhjes së zakonshme të Këshillit të Ministrave.
Sipas mediave kosovare shkak për dorëheqjen është bërë ftesa për t’u marr në pyetje nga Gjykata Speciale.
Haradinaj ka lexuar letrën e dorëheqjes në përfundimin e mbledhjes së Qeverisë, duke nënvizuar edhe se taksa 100% ndaj Serbisë do të vazhdojë të mbetet.
“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jeni të parët që ju informoj. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante, do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër t’i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai.
Më tej Haradinaj ka paralajmëruar edhe zgjedhje të parakohshme në Kosovë.
“Përgjegjësia tani kalon te presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për të marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti im. Por s’kam mundur ta qoj shtetin dhe kryetarin e qeverisë sepse do t’ia rëndoja Kosovës dhe e kam marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj i emocionuar.