Rama-Vuçiq: Qëndrimi për Kosovën është diferenca themelore mes Shqipërisë dhe Serbisë


Shqipëria dhe Serbia kanë marrëdhënie të mira, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, deklaroi sot në Davos, presidenti serb Aleksandar Vuçiq në takimin me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Fakti që kemi qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara, nuk do të thotë se nuk jemi koshient për faktin se dy vendet tona luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”, deklaroi Vuçiq, duke theksuar se qëndrimi për Kosovën është diferenca themelore mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Siç kumtoi Kabineti i presidentit serb, në takim Vuçiq dhe Rama kanë biseduar për marrëdhënie dypalëshe edhe për rrugën evropiane të dy vendeve.

Në takim është bërë fjalë edhe për bashkëpunimin ekonomik, sidomos për zhvillimin e turizmit dhe mënyrat për motivimin e qytetarëve shqiptarë që të udhëtojnë në Beograd dhe qytetarët e Serbisë ta vizitojnë Shqipërinë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga ana e tij deklaroi se beson se Shqipëria dhe Serbia do të vazhdojnë ta zbatojnë axhendën për zhvillim ekonomik në rajon pa kufij dhe se do të kontribuojnë për mënjanimin e barrierave në tregti, kulturë dhe shkencë.

Rama theksoi se Kosova mbetet tema e rëndësishme për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe Tirana e mbështet vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Dje në Davos, Rama tha se shpreson që edhe pse Serbia është përpara Shqipërisë në procesin e pranimit në BE, dy vendet mund të hyjnë së bashku në Union. Ai tha se kjo mund të ndodhë nën supozimin se Serbia e njeh Kosovën.

“Është një proces i bazuar mbi performansën. Serbia është përpara, pasi është duke negociuar dhe ne shpresojmë se do të fillojmë negociatat këtë vit. Por kjo është një konkurrencë e shëndoshë dhe do të donim të përparojmë më shpejt dhe pse jo, në të ardhmen do të jemi në të njëjtën pozitë dhe të hyjmë së bashku në BE, nën supozimin që Serbia të njohë Kosovën”, u tha Rama gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror.