Pse dështoi referendumi?!


Naser Pajaziti

E diela ishte ters për Maqedoninë, pasi nuk ishte pritur që referendumi për emrin të dështojë, duke mbyllur një shteg të implementimit të Marrëveshjes së Prespës.

Rezultati ishte një fiasko prej vetëm 36%, duke mos arritur censusin e nevojshëm mbi 50% nga 1.8 milion votues.

Janë shumë elemente të njohura dhe me pak të panjohura rreth asaj se çka çoi në dështimin e referendumit.

– Mospastrimi i listës së votuesve ka vështirësuar arritjen e rezultatit pozitiv, pasi që është konsideruar absurde, Maqedonia me mbi 2 milionë banorë të ketë 1.8 milion votues. Edhe pas shumë përpjekjeve lista e votuesve nuk është pastruar, pasi në të vijojnë të jenë votues fiktivë dhe të vdekurit, që nuk janë shlyer me vite të tëra, në mungesë të regjistrimit të popullsisë.

– Bojkotimi i thirrur nga opozita ishte një element kyç që çoi në abstenimin e madh të qytetarëve, sidomos anëtarësisë së VMRO-DPMNE-së. Por bojkotit i shtohen edhe thirrjet aktive dhe propaganda në internet e grupeve joformale që edhe publikisht kanë shprehur qëndrimet proruse, siç është një parti minore “United Macedonia”.

– Vetëmashtrimi dhe krijimi i bindjes nga kryeministri Zoran Zaev dhe aleatët e tij qeveritarë se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe do të arrihej censusi i nevojshëm. Megjithatë me 605 mijë votat “Për”, Zaevi e shpalli të suksesshëm referendumi, pasi që sipas tij, këto vota nuk ka arritur t’i sigurojë asnjë parti ose kandidat për president në zgjedhjet e organizuara nga pavarësimi i vendit.

– Një element tjetër është se partitë pro referendumit e shfrytëzuan fushatën më tepër me qëllime dhe ngjyrime partiake, sikur të ishte ndonjë fushatë zgjedhore me një propagandë të gabuar.

– Efektin negativ e kishte edhe largimi i vazhdueshëm i shumë qytetarëve drejt vendeve të BE-së, për shkak krizës sociale dhe ekonomike në heshtje që po merr përmasa shqetësuese. Por kësaj i shtohet edhe bojkoti dhe mosinteresimi i madh nga diaspora për të mos dalë në votime.

– Një grup i caktuar i qytetarëve ka gjetur arsyet duke mos qenë i kënaqur me qeverinë aktuale, e cila në të shumtën e rasteve është kritikuar për qasjen e saj kryesisht ndaj procesit të eurointegrimeve dhe zgjidhjes së kontestit të emrit dhe më pak të fokusuar në çështjet e brendshme në planin social dhe ekonomik.

Megjithëkëtë, referendumi ishte konsultativ dhe se barra kryesore i kalon Kuvendit ku duhet të sigurohen 80 deputetë për t’i dhënë dritë jeshile Marrëveshjes së Prespës si një tentim i dytë për të çuar vendin në NATO dhe në BE. Partitë e koalicionit qeverisës bashkë me partitë shqiptare kanë 71-73 deputetë, por duhet që të sigurohen edhe votat nga kampi i deputetëve të opozitës maqedonase. Kryeministri Zaev është shprehur i bindur se do të vazhdojë misionin e tij për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE, derisa opozita kërkoi pensionimin e tij nga politika.