Osmani: Ligji për gjuhët do të sillet edhe përkundër pengesave


Ligji për përdorimin e gjuhëve do të sillet edhe krahas asaj se presidenti Gjorge Ivanov nuk e nënshkroi dhe tentimit të VMRO-DPMNE-së në opozitë me amendamentet e dorëzuara për ta bllokuar atë. Kundërshtimi i tyre është vërtetim për mungesën e ndjenjës së përgjegjësisë dhe ndjeshmërisë në lidhje me këto çështje, deklaroi sot zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

Ai në takimin me gazetarët duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve theksoi se Ligji për gjuhët del nga amendamenti 5 i Kushtetutës së RM-së dhe Marrëveshja e Ohrit dhe se me sjelljen e tij do të rrumbullakohet zbatimi i marrëveshjes politike, e cila është sjellë 17 vjet më parë.

“Ligji është brenda kornizave të Kushtetutës dhe e plotëson edhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit. I kaloi të gjitha faza në Qeveri. Na vjen keq që presidenti i shtetit nuk e nënshkroi ligjin dhe nuk arriti ta shfrytëzojë vitin e fundit të mandatit të tij të jetë faktor kohezioni në shoqëri. Megjithatë, na vjen keq edhe se partia opozitare VMRO-DPMNE nuk e shfrytëzon këtë momentum për t’i vërtetuar pohimet e veta pas zgjedhjeve se janë interpretuar gabimisht dhe se janë me prirje antishqiptare ose se kanë gabuar në raportin me shqiptarët”, tha Osmani.

Sipas tij, ata kanë pasur mundësi të tregojnë ndjeshmëri ndaj kësaj çështje të ndjeshme pasi që në asnjë mënyrë zhvillimi i mundësisë shqiptarët ta përdorin gjuhën e tyre në institucione nuk e rrezikon të drejtën e asnjë komuniteti tjetër, e as unitetin e shtetit, e as të vetë shtetit.

“Përkundrazi e rrit kohezionin në shoqëri, bashkimin, lojalitetin e bashkësive etnike në vigjilje të sfidave të cilat na presin gjatë periudhës vijuese. Kjo është mungesë e ndjenjës së përgjegjësisë dhe ndjeshmërisë lidhur me këto çështje. Ligji do të miratohet, por për fat të keq në kujtesën dhe ndjenjën e shqiptarëve do të mbetet kundërshtimi i një partie politike ndaj një çështje e cila është e rëndësishme për bashkësinë etnike të dytë për nga madhësia”, tha zëvendëskryeministri Bujar Osmani