Osmani: Fillimin eventual të negociatave me BE-në do ta presim të përgatitur


– Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani mori pjesë në sesionin Edukativo – debatues #EUROTALK, ku para përfaqësuesve të shoqërisë civile e shpjegoi gjendjen me integrimin evropian, rezultatet e arritura deri më tani, si dhe sfidat të cilat e presin vendin në vitin 2018. Sa i përket Planit 3-6-9, Osmani shprehu kënaqësi nga implementimi i pjesës së parë të Planit, pjesës tre, me implementimin e së cilës u krijuan kushte për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të drejta të lira dhe të besueshme – qëllimi kryesor i Planit, kumtoi Kabineti i zëvendëskryeministrit. Ai shtoi se implementimi i pjesëve Gjashtë dhe Nëntë nga Plani është fokusuar në sferat prioritare reformat në shërbimet e sigurisë, reformat në gjyqësor, si dhe reformat në administratën publike duke shtuar se Qeveria u zotua që të njëjtat t’i implementojë deri në shkurt të vitit 2018, para daljes së strategjisë për zgjerim të Komisionit Evropian, të cilën e paralajmëroi kryetari i Komisionit, Zhan Klod Junker.

“Në seancën e djeshme të Qeverisë kaloi pakoja kyç për reforma në shërbimet e sigurisë, së bashku me pakon për mekanizëm për kontroll të jashtëm të punës së policisë. Me këtë filloi procesi i mbylljes së njërës nga çështjet më të rënda – reforma në sistemin e sigurisë, si një ndër çështjet më të rëndësishme e definuar në vërejtjet e grupit të lartë të ekspertëve udhëhequr nga Rejnhard Pribe”, theksoi Osmani. Ai shtoi se MPB-ja, Ministria e Drejtësisë, si dhe grupi punues që iu përkushtua këtyre reformave arritën sukses të madh, duke përgatitur reforma kualitative të cilat në esencë korrespondojnë me rekomandimet dhe vërejtjet nga të cilat del nevoja për reforma.

Osmani u përqendrua edhe në sfidat të cilat na presin në vitin 2018 si vit historik i mundësive për mbylljen e çështjeve për BE-në dhe NATO. “Kemi bazë të mirë të shpresojmë se në vitin 2018 do ta mbyllim çështjen për integrimin evropian, që do të thotë t’i hapim bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është sfida më e rëndësishme për vitin 2018 të cilën duhet ta presim të përgaditur si Sekretariat për Çështjen Evropiane dhe si sektor civil, dhe në përgjithësi si shoqëri, ku fokusi është integrimet evopiane”, tha ai

Osmani shtoi se SÇE, si institucion i cili është përgjegjës për udhëheqjen me procesin e negociatave, ka për detyrë ta pres fillimin eventual të negociatave me ekip të përgatitur, strukturë dhe administratë që do të mund të sfidoj me negociatat. Debati edukativ është nën organizimin e Shoqërisë qytetare për hulumtime, analiza dhe zhvillim të politikave publike “EUROTHINK” – Qendër për strategji evropiane” ku marrin pjesë përfaqësues të sektorit civil në Maqedoni.