Nikovski: Problemi i emrit është problem vetëm i maqedonasve


Ish diplomati Risto Nikovski vlerëson se ndërmjetësi Nimic në tryezën e bisedimeve ka vendosur edhe identitetin e popullit maqedonas dhe se çështja e emrit nuk është pengesa kryesore. Nikovski për emisionin VOX në TV Shenja ka dhënë vlerësimin edhe për atë se a duhet shqiptarët të përfshihen në zgjidhjen e problemit, transmeton gazeta Lajm.

“Interesi i vendit tonë për të zgjidhur këtë problem është i qartë, ekspresiv dhe mendoj se këtë ndjenjë e ndajmë të gjithë. Megjithatë, duhet të kuptojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e emrit të shtetit, por pengesa për të cilën kjo çështje edhe është hapur është identiteti i popullit. Pra, në një farë mënyre, është e dëshirueshme të mbyllet çështja maqedonase, e cila ka qenë në tryezë për më shumë se 150 vjet dhe të gjitha këto përpjekje shkojnë në atë drejtim. Dhe, gjëja tjetër që është e rëndësishme është ajo se Greqia nuk qëndron pas këtij rasti. Greqia nuk është faktori kryesor në këtë problem. Këtu është Perëndimi,janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,është Brukseli, dhe në disa mënyra po bëhet ristrukturimi i Ballkanit si një rajon. Prandaj, në këtë drejtim, duhet të jemi shumë të kujdesshëm me të gjitha masat që marrim, sepse, edhe pse sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 817/93, e cila ngre çështjen e një problemi që duhet të zgjidhet, pra ekziston dallimi lidhur me emrin e vendit tonë, por, Nimitc, megjithatë shumë shpejt e vuri në tryezë edhe çështjen e identitetit të popullit maqedonas. Kjo, ndër të tjera provohet nga fakti se përveç ndryshimit të emrit, për të cilin ka pasur propozime të ndryshme e që tani janë të reduktuara në 5 ose 4, ka pasur gjithmonë një paketë”, ka veçuar mes tjerash në emisionin “VOX” në TV Shenja, Nikovski.

Pse nevojitet një paketë?

Ish diplomati Nikovski vlerëson se kërkesat e Greqisë janë të pabaza, ndaj thotë se Maqedonia duhet të jetë e kujdesshme në çdo lëvizje.
“Nëse e ndërrojmë emrin tuaj ose emrin tim, historia mbaron këtu. Kjo paketë u miratua pikërisht për shkak të kësaj, që në mënyrë të tërthortë të vejë në dyshim identitetin e popullit maqedonas. Mendoj se kjo është konfirmuar nga fakti se në Greqi nuk njihet ekzistenca e një kombi maqedonas, ata nuk e pranojë se jemi maqedonas dhe të gjitha deklaratat e tyre për irredentizmin e vendit tonë,de facto,reduktohen në maqedonizmin. Ata janë të shqetësuar nga maqedonizmi, domethënë maqedonasit si popull, dhe këtë e dëshmon gjëja më e fundit në tryezë, ata vendosën në tryezë edhe himnin tonë i cili thotë: “Sot mbi Maqedoni” ose “maqedonasit luftojnë”, e kështu me radhë. Kjo është përvoja e fundit se, de facto, maqedonasit janë shkaku dhe jo emri i shtetit. Dhe, kur i kemi të gjitha ato elemente në tryezë dhe të cilat mendojnë se janë te padiskutueshme, atëherë nuk mund të flasim për ndryshimin e emrit dhe disa modifikime në emrin e shtetit, sepse sfondi është i ndryshëm. Shkurtimisht nëse flasim për identitetin e popullit maqedonas dhe nëse kjo është në zemër të këtij problemi, atëherë nuk mund të kemi ndonjë kompromis. Kush mund të pajtohet me një kompromis për të ndryshuar identitetin e tij, dhe atë në fillim të shekullit 21, kur ekziston një sistem i demokracisë, të drejtat e njeriut, ndërkaq një kombi duhet ti hiqet identiteti i tij nacional?!”, theksoi Nikoski.

“E kur të kthehemi tek pyetja se cili nga propozimet është më i pranueshëm?, them se pala jonë shumë shpejt,ndoshta nuk ka kapitulluar, por gjithsesi ka përkulur shpinën duke pranuar një shtesë gjeografike. Është fakt që jemi pjesë e rajonit të Maqedonisë, një pjesë e atij rajoni është në Greqi, një pjesë në Bullgari dhe një pjesë shumë e vogël është në Shqipëri. Nëse tashmë në emrin tonë inkuadrojmë shtojcë,si: Epërm, Veri dhe kështu me rradhë, meqë kohët e fundit, i gjithë problemi po kufizohet në këtë, atëherë le të riemërtojmë edhe pjesën jugore të Maqedonisë, kështu që le të jetë Maqedoni Jugore”, shton më tutje Nikovski.

Ai pyet pse duhet vetëm Maqedonia të ndryshojë dhe të shtojë një dispozitë gjeografike kur pjesa greke mbetet Maqedoni?!

“Këtu do të përmend edhe diçka që është gjithashtu shumë e rëndësishme, sepse në Greqi nuk ka rajon të quajtur Maqedoni. Pas ndarjes së re administrative të vendit, të Greqisë, e cila u krye në vitet 1987/88, megjithëse kurrë me parë nuk e kishin përdorur termin Maqedoni, për herë të parë në histori, territoret e ashtuquajtura të Veriut u quajtën Maqedoni dhe Traki, dhe në këtë rajon të Maqedonisë tani krijuan 3 pjesë më të vogla administrative: Maqedonia Perëndimore, Maqedonia Qendrore dhe Maqedonia Lindore e Trakia. Që do të thotë se pjesa greke e Maqedonisë ka edhe dispozita gjeografike. Pse duhet Maqedonia të shtojë dispozitë gjeografike, kur këtë tashmë e ka. Nëse, ashtu siç është qëndrimi ynë dhe, ndër të tjera, edhe pozita e amerikanëve, ne pranojmë që për jashtë të ndryshojmë emrin dhe ai të mbetet i njëjtë në Maqedoni, kjo është fyese, e papranueshme dhe de facto është e përkohshme, sepse nëse ne për botën nuk jemi Maqedoni dhe maqedonas, atëherë brenda një apo dy vitesh, e gjithë ajo që kemi në shtet dhe që është maqedonase do të duhet me doemos të ndryshojë. Në rast të tillë, nëse ne, mos dhashtë Zoti, pranojmë emrin Maqedoni Veriore, të gjitha dokumentet që rrjedhin nga ky shtet, përfshirë edhe pasaportat, kartelat e identitetit, dokumentet doganore, ekipet kombëtare, do të duhet të mbajnë emrin e ri. Nëse ato mbajnë emrin e ri, atëherë nuk mund të ekzistojë kushtetuta e tanishme. Nëse kushtetuta shkruan emrin Maqedoni, me një shtojcë politike të Republikës, ju nuk mund te nënshkruani një dokument që mban emrin Republika e Maqedonisë Veriore sepse ju e shkelni kushtetutën. Këto janë finese për rreziqe të fshehura, të cilat duhet ti shohim, sepse duke ecur ashtu siç po shkojmë tani, me dëshirën për të zgjidhur problemin, gjë që është pozitive, qeveria e tanishme meriton njohjen se ajo për herë të parë vendos në tryezë këtë problem dhe përpiqet ta zgjidhë atë, megjithatë mënyra e saj, euforia dhe optimizmi që përhapen janë joreale”, tha Nikovski.

Në pyetjen se a mendoni se edhe pala shqiptare duhet t’i bashkohet këtyre negociatave?

Nikovski me përgjigje: Nuk ka dilemë këtu, sepse emri i shtetit ndahet nga të gjithë: maqedonasit, shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë ata që jetojnë në shtet. Megjithatë, këtu duhet të kuptohet se bëhet fjalë për popullin maqedonas, si një etnitet dhe të gjithë të tjerët që përfshihen në të, duhet të jenë të vetëdijshëm se është çështje e të qenurit apo jo maqedonasit. Këtu duhet të ketë një kufizim, i cili më duket se është zhdukur. Më parë, shqiptarët në Maqedoni, të gjithë, si faktorët politik ashtu edhe individët, ishin jashtëzakonisht korrekt. Vetë Ali Ahmeti tha disa herë se:” kjo është një çështje që prek maqedonasit, ne nuk duhet të ndërhyjmë, në kuptim që të mos ua bëjë më të vështirë. Tani më duket se kjo është tejkaluar dhe se vija e mbështetur nga faktorët politik shqiptarë është e papranueshme, e gabuar, sepse ata duan të ndryshojnë emrin e shtetit në çdo rast dhe kështu të shkaktojnë dëme të mëdha për popullin maqedonas. Mendoj se këtu duhet kujdes më i madh,sepse, megjithatë, ndryshimi i emrit përfshin identitetin e popullit maqedonas si një bashkësi etnike. Mendoj se në përgjithësi, do të jetë e vështirë të arrihet një zgjidhje, nuk do të ketë mundësi të pranohet ajo që po pranon Greqia dhe se problemi do të mbetet i hapur edhe për një kohë të gjatë. Ky nuk është interesi i vendit tonë, por megjithatë ka kufizime lidhur me atë se deri në cilën masë mund të përkulim shpinën, sepse në të kundërtën, kjo çon kah një jostabilitet i vendit. Gjërat që janë të palogjikshme, të panatyrshme, jo-historike, jo-qytetëruese, nuk mund të kalojnë. Ato do të shkaktojnë revoltë mes popullit maqedonas dhe mos dhashtë Zoti, të kthehen Komitët dhe të destabilizojmë të gjithë Ballkanin”.