Ndalohet hyrja e zyrtarëve serb në Kosovë

Një numër qytetarësh serbë janë mbledhur në Mitrovicën e veriut për të protestuar kundër ndalimit të hyrjes së zyrtarëve shtetërorë nga Serbia në Kosovë, ndërkohë që Policia e Kosovës në Jarinje ka ndaluar hyrjen e ministrit serb të Kulturës. Ndalimi i tij është bërë në orët e paradites dhe ministri serb ndalimin e tij për të hyrë në Kosovë e ka quajtur lëshim të palës kosovare. “Ne kemi përgatitur një vizitë në manastiret tona, trashëgiminë tonë kulturore dhe ky vendim paraqet një lëshim të madh dhe nuk kontribuon në gjendjen e përgjithshme. Pavarësisht rrethanave aktuale, trashëgimia kulturore serbe në Kosovë shkëlqen që 800 vjet dhe këtë do ta vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen”, tha Vukosavleviq. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie duke qëndruar në stacionin policor në jug të Mitrovicës. Ato janë në pritje të urdhrit për t’u nisur drejt veriut nëse shfaqet nevoja. Autoritetet e Kosovës ditë më parë kanë marrë vendim të ndalojnë hyrjen e zyrtarëve të lartë serbë Gjuriq, Selakoviq dhe Vukosavleviq.