Mickoski i përgjigjet Mitchellit: Marrëveshja është në dëm të kombit tim

Pas letrës publike që i dërgoi ndihmës-sekretari shtetëror i SHBA-ve Wess Mitchell kryetarit të VMRO-DPMNE-së, ky i fundit sot i’u përgjigj. Mickoski thotë se procesi i negociatave me Greqinë ka qenë i fshehur dhe me lajme manipuluese, duke shtuar se përfaqësuesit e qeverisë bisedimet i kanë udhëhequr pa konsensus me opozitën.

“Gjithë ky proces ka qenë me vlerësime të gabuara, shpresa të rrejshme dhe pritje të gabuara që fatkeqësisht kanë qenë prodhim i qeverisë, e cila ka mashtruar gjithë bashkësinë ndërkombëtare se do të përcjell diçka që nuk është e mundur të përcillet”, shkruan Mickoski.

Ai sekretarit amerikan më tej i thotë se marrëveshja me Greqinë është në dëm të interesave të kombit maqedonas dhe si e tillë është e papranueshme për VMRO-DPMNE-në

“Vazhdojë dhe vërtetë nuk mund të besoj se si do të kontribuojë për stabilitet, paqe dhe siguri marrëveshja e cila: shumica e qytetarëve e refuzuan në referendum, me të cilën ndryshohet Kushtetuta dhe emri i shtetit, me të cilën anulohen të drejtat e Maqedonisë, e cila parasheh formim të Komisioneve mes dy shteteve për rishikim të historisë, arkeologjisë dhe arsimit, që në mënyrë sekrete dëmton vendin tim, me të cilën vendi tërhiqet nga pakicat maqedonase në vendet tjera dhe në të njëjtën kohë edhe nga diaspora maqedonase”, thotë Mickoski.