Mercedesi i Gruevskit do të shitet për furnizim të pajisjeve spitalore

Qeveria mbrëmë në seancën e 43-të e miratoi vendimin me të cilin makina “Mercedes” prej rreth 600.000 eurosh që ishte në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i jepet në shfrytëzim të përhershëm pa kompensim Shërbimit qeveritar për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta.

“Me këtë krijohet mundësi që kjo makinë të tjetërsohet dhe mjetet e marra nga kjo të dedikohen për furnizimin e pajisjes spitalore”, kumtoi pres shërbimi qeveritar.

Mercedesi peshon 4 ton dhe është i prodhuar me standarde të sigurisë së shkallës së parë. Nga MPB-ja thonë se vetëm për ndërrimin e gomave duhet të harxhojnë rreth 20 mijë euro. Me makinën deri më tani janë kaluar 57 mijë kilometra. Për prokurimin e makinës së shtrenjtë në janar të këtij viti Prokuroria Speciale hapi hetim me emrin Tank. Dy të punësuar në MPB dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo se gjatë prokurimit publik në mënyrë të paligjshme kanë favorizuar një operator të caktuar ekonomik. Në bisedat e përgjuara kuptohet se blerja e këtij Mercedesi me paratë e shtetit ishte plan i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Bomba: “Do të aktrojmë se është i MPB-së dhe ju do ta përdorni kur do të vijë ndonjë i njohur dhe ne do ta përdorim vetëm kur do të shkoj diku në rrugë apo kur kam destinacione ku nuk më presin gazetarë.”