Lëvizja BESA: E urojmë kryeministrin Rama që ka kontribuar për avancimin e gjuhës shqipe në Maqedoni


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë fjalimit para forumit rinor të partisë së tij ka deklaruar se PS-ja ka meritën më të madhe për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni. Sipas tij, pa PS-në, dikur miratimi i tij as nuk mund të imagjinohej.

Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama sot ka shkaktuar reagime edhe nga mediat opinionistët dhe mediat maqedonas të cilët e kanë komentuar në forma të ndryshme.

Për Lëvizjen BESA kryeministri shqiptar, Edi Rama ka meritë për avancimin e gjuhës shqipe në institucionet e shtetit.

“E përgëzojmë dhe i urojmë Kryeministrit Edi Rama që edhe ai ka kontribuar për avancimin e gjuhës shqipe në Maqedoni”, ka deklaruar për Zhurnal, Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë javën e kaluar ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji u miratua me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE e cila këtë ligj e cilëson si antikushtetues.