Karemani nga zyrat e reja në Tetovë: BESA do të jetë më e fuqishme se më parë


Lëvizja Besa ka përuruar sonte zyrat e reja të degës së saj në Tetovë ku morën pjesë ushtruesi i detyrës kryetar i kësaj partie, Nexhbedin Karimani, dhe anëtarët e kryesisë qendrore. Para të pranishmëve, Karimani tha se tani e tutje zyrat e Lëvizjes Besa do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët dhe simpatizantët e kësaj partie.

“Pas problemeve që janë shkaktuar me mosrespektimin e organeve të partisë dhe pas disa shokëve tanë të deridjeshëm që ua ka endje të bëjnë betejë për zyra dhe jo për ide dhe interesa shqiptare, ne sot jemi këtu për ti bërë këta zyra të mjaftueshme, të këndshme, të rëndësishme sepse këto zyra do të jenë një dritare komunikimi të lëvizjes Besa me gjithë ata që deri dje për çfarë do arsye nuk janë mirëpritur nga disa anëtarë të Lëvizjes Besa… Këto nuk janë zyra të një klani, nuk janë zyra të një rajoni, të një fshati, por janë zyra të Besës në qytetin e Tetovës. Kjo zyrë është porta e Besës për të gjithë tetovarët kushdoqofshin dhe prej nga ata janë. Prej sot në Besë nuk ka shumë të pëlqyer apo të priviligjuar, apo të padëshiruar, Besa është e popullit, Besa është në shërbim të popullit dhe secili ka hise në të po aq sa kam unë dhe çdo anëtari të kryesisë qëndrore”.

Në zyrat e reja në Tetovë sonte mbajti mbledhje edhe kryesia qëndrore e Lëvizjes Besa. Tash e tutje në Besë nuk ka më kufizime mbi asnjë bazë. Ne jemi një familje dhe nuk kemi perde ndërmes veti, tha mes tjerash Karimani i cili kërkoi nga anëtarësia që të mos meren me ato që i takojnë të kaluarës. Ai ftoi të gjithë anëtarët të fokusohen në punët që e presin këtë parti si zgjedhjet e brendshme, organizimi i kongresit, për të vazhduar më tej me detyrimet tjera për artikulimin, mbrojtjen dhe avansimin e të drejtave të shqiptarëve dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.

“Për këtë sonte kishim mbledhje kryesia qëndrore ku i përcaktuam konturat për aktivitetin e kongresit të Lëvizjes Besa ashtu që jam i bindur që këto ditë të gjithë do të jemi në lëvizje për ta vënë në lëvizje edhe vullnetin tonë për interesat e përgjithshme të popullit tonë. Një gjë po ju them dhe po e përfundoj, Besa do ta kalojë këtë fazë dhe do të dalë shumë më e fuqishme seç ka qenë, këtë pos tjerash e dëshmon sonte edhe prezenca e një numri të madh të aktivistëve. Ju falemenderit që edhe sonte ishit këtu dhe shpresoj se tash e tutje të shihemi gjithnjë e më shpesh dhe të kemi mundësi të punojmë e prodhojmë gjëra të mira për të gjithë ne”.

Hapja e zyrave të reja në Tetovë erdhi pasi dega e Lëvizjes Besa në këtë qytet pranoi vendimin e kryesisë qëndrore për shkarkimin e Bilall Kasamit nga posti i kryetarit dhe emërimin e Nexhbedin Karimanit për ushtrues i detyrës kryetar i Lëvizjes Besa.