Ivanov: Qytetarët e “Për një Maqedoni të përbashkët” të mos trajtohen si shoqatë terroriste


Për ngjarjet e 27 prillit përgjegjësi duhet të ketë, por përgjegjësia nuk guxon të gjeneralizohet, duhet të respektohen të drejtat e njeriut dhe prezumcioni i pafajësisë dhe të kihet kujdes në kualifikimin e veprave penale, deklaroi në fjalimin e sontëm për opinionin presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gorge Ivanov.

“E kam mbështetur dhe mbështes nismën ‘Për një Maqedoni të përbashkët’. Pjesëmarrësit në të, qytetarët, të bashkuar e kanë demonstruar idenë për unitet dhe ato nuk guxojnë të trajtohen si shoqatë terroriste. Me revanshizëm dhe me demonstrim të forcës gjenerohet polarizimi. Bëj thirrje në urtësi dhe përgjegjësi të institucioneve kompetente, të cilat duhet ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet. Qytetarët presin zgjidhje, e jo probleme”, tha Ivanov.

Sipas tij, me revanshizëm dhe demonstrim të forcës gjeneralizohet polarizimi i shoqërisë, gjendja me të cilën nuk mund të arrijmë progres në proceset euroatlantike.

Ivanov theksoi se qytetarët e Republikës së Maqedonisë presin zgjidhje, e jo probleme, presin mirëqenie dhe prosperitet dhe se nuk ka asgjë, siç tha “më tragjike dhe në mënyrë më të rrezikshme nga përleshja ndërmaqedonase”.