Intervistë, Nexhbedin Kahremanin: Lëvizja Besa është si luani, i përballon edhe goditjet me sëpatë pas shpine


Pasi kaloi kongresi i parë i Lëvizjes BESA, kur tashmë gjërat kanë pushuar, gjetëm rastin të bashkëbisedojmë me njërin ndër protagonistët e Lëvizjes BESA, deputetin e zonës nr. 6, Dr. Nexhbedin Kahremani.

Z. Kahremani, pasi që kaloi Kongresi i Lëvizjes BESA, sikur jeni tërhequr apo kjo është një strategji e juaja?
Nuk mendoj se bëhet fjalë për tërheqje, por mund të duket ashtu në opinion për faktin se tashmë nuk e ushtroj detyrën e Kryetarit dhe në krahasim me dy muajt e parë të këtij viti, tashmë nuk jam në plan të parë. Kjo është e pritshme dhe e natyrshme, sepse tashmë Lëvizja BESA e ka kryetarin e saj dhe askush nuk do të duhej të ishte mbi. Unë vazhdoj me detyrat e mia si deputet, si edhe me strukturat e Besës në Tetovë, ku mendoj se kërkohet kontributi im. Përveç kësaj, unë i takoj një gjenerate që tek tash e ka mësuar nocionin selfie ose që nuk është shumë e prirë për punën në rrjete sociale, andaj nuk – në krahasim me të rinjtë që ia dinë rendin më shumë marrëdhënieve me publikun, duke nxjerrë foto e postime për çdo gjë në Facebook e gjetiu, për mua ato gjëra janë në plan të dytë. Formula ime e PR-it është të punosh pa u dukur shumë, sepse ashtu të vijnë edhe votat. Madje, unë besoj thellë se votuesit më të devotshëm dhe më të sinqertë janë pikërisht ata.

A mund të na e riktheni edhe një herë si ishte faza kur ju e morët detyrën e kryetarit të BESËS, atë kohë kishit edhe probleme të sigurisë? Për çfarë bëhej fjalë?
Të kaluara, thotë populli. Përkitazi me këtë më kujtohet anekdota me luanin dhe mikun e tij njeri, kur njeriu e ofendoi njëherë dhe pastaj luani kërkoi që t’ia bie edhe me sëpatë, duke i thënë se plagën e sëpatës do ta shëroj, por atë të ofendimit nuk do ta harroj. Më vjen keq që kultura jonë politike ose, më saktë, mungesa e kulturës shkon deri aty sa t’i shqetësojë njerëzit dhe familjet e tyre për shkak të mospajtimeve të ndryshme konceptuale. Sidoqoftë, ajo tashmë është e kaluar, duke lënë pas vetes vetëm shijen e keqe, për çka edhe nuk dua të flas më.
Sa i takon kohës kur unë e mora drejtimin e Lëvizjes BESA, pas shkarkimit të ish kryetarit, ajo ishte thjesht një nevojë emergjente, sepse kërkohej që ne ta shpëtojmë një subjekt që ishte shpresa e shqiptarëve të Maqedonisë. Ndonëse unë nuk kisha prirje të bëhem drejtues i saj, jo vetëm se subjektit iu bashkëngjita më vonë, por edhe sepse synimet e mia jetësore nuk janë të lidhura vetëm dhe kryekëput me politikën, megjithatë pranova që ta drejtoj Lëvizjen deri në kongres. Ishte kohë turbulente, ndërsa unë shpresoj se ia kam dalë. Këtu më duhet të theksoj se kolegët e Kryesisë ishin unanimë që të kandidohem për kryetar edhe në Kongres, për çka i falënderova, por unë nuk pranova. Mendoj se kontributi im për drejtimin e Besës ishte deri aty. Dhe, kur i shoh zhvillimet e tanishme, mendoj se nuk kam gabuar.

Sidoqoftë, na thoni tash ku gjendet Lëvizja BESA?
Pas gripit dimëror që e kaloi, ashtu e quajmë ne fazën e çarjes, tash Besa është gati 90% konsoliduar dhe e ka rimarrë veten. Ka mbetur vetëm të merret edhe verdikti i gjykatës dhe me pjesën që tashmë është ndarë nga Besa përfundon gjithçka. Do të jemi dy organizata politike dhe jeta politike vazhdon. Jam nga njerëzit që mundohem të shpëtoj derisa kam shpresë se ka shpëtim, por e shoh se shpëtimi është i pamundur, atëherë jam për zgjidhje që e ndal dhimbjen. Mbase këtë ma ka mësuar edhe detyra e mjekut.
Besa tashmë e ka rikthyer shtrirjen e saj gati në gjithë territorin vendit, madje ka themeluar struktura edhe aty ku dikur nuk ka qenë fare dhe, për befasinë tonë, pas një zhgënjimi që mbretëronte, tashmë në Besë kanë filluar të bashkohen edhe njerëz që na thonë se më parë nuk kanë qenë të mirëpranuar ose që nuk e kanë gjetur veten aty. Kam shumë shpresë se para fillimit të verës, konsolidimi strukturor do të përfundojë dhe nga vjeshta ne do të vazhdojmë të punojmë siç kemi punuar edhe më parë. “Uragani Besa”, siç e quanin mediat, nuk do të dorëzohet për shkak të një goditje, sepse ky nuk është bërë subjekt politik për një palë zgjedhje. Sa kemi ne vullnet dhe motiv për të vepruar, kundërshtarët tanë politikë nuk kanë fuqi për të sulmuar. Ky është detyrimi jonë ndaj gjeneratave dhe për këtë nuk ka çmim që na zmbraps. E kemi thënë edhe në moton e kongresit tonë të parë “Ideja vazhdon!”. Sepse, idetë janë mbi njerëzit dhe mbi organizatat. Ne ekzistojmë dhe veprojmë për shkak të ideve e jo idetë për shkakun tonë.

Meqë në opinion është krijuar përshtypja se çarja në Besë e ka dëmtuar zonën tuaj, na thoni në Tetovë si kanë vajtur punët? 
Po, është krijuar një përshtypje e tillë nga mediat, por e vërteta nuk është ashtu. Angazhimi im dhe i miqve të tjerë nga Tetova në Besë, qysh në fillim, ka bërë që shumë struktura të Besës të jenë të lidhura me figurat qendrore të Besës në Tetovë dhe kjo çarje nuk ka bërë ndonjë dëm të madh. Natyrisht, nuk është krejt pa pasoja, por ne tashmë i kemi rikuperuar ato, i kemi rithemeluar edhe ato pak nëndegë që nuk i kishim dhe shoh një entuziazëm solid. Duke pasur në krye ë degës një mjek si Dr. Sulejman Odai, një njeri që gëzon reputacion edhe profesional, edhe njerëzor, edhe familjar, nuk kam fare dyshim se dega e Tetovës do të jetë dega më e fuqishme e Besës në zgjedhje.

Me bisedimet për qeveri ku keni arritur dhe a mund të pritet që Dr. Kahremani të jetë edhe në ndonjë post të lartë ekzekutiv?
Mendoj se kjo temë është ezauruar mjaft dhe nuk di a ka mbetur diçka e pathënë. Ne, në të vërtetë, nuk është se e kemi kërkuar përfshirjen në qeveri, por kjo ka qenë kërkesë e Kryeministrit. Dhe, ashtu si në fillim të formimit të qeverisë, kur ne kishim mundësi të inkuadrohemi, por nuk u bëmë pjesë e saj për arsye parimore, ne me po të njëjtën qasje e përkushtim, por edhe me parimet e njëjta po bisedojmë edhe tash. Nëse kësaj radhe gjejmë gjuhë të përbashkët, mund edhe të bëhemi pjesë e ekzekutivit. Informacionet e mia flasin se kryetari Gashi tashmë e ka përmbyllur pjesën e parimeve të bashkëqeverisjes dhe të programit të përbashkët qeveritar dhe ka mbetur vetëm pjesa e përfaqësimit. Besoj se gjatë kësaj jave ose, më së voni, në fillim të javës tjetër, kjo temë do të jetë e përfunduar.

Në opinion qarkullon një bindje se ju po vraponi të futeni në qeveri. Madje, disa analistë ju kanë akuzuar se nuk e keni vetëm për pushtet. Bile, edhe disa politikanë ju kanë marrë për karrieristë. Çfarë do të thoni?
Shihni, derisa flasim për analistë, nuk dua të ofendoj, por i pranoj sugjerimet e tyre me dashamirësi dhe korrektësi. Mund të më vijë keq që po ata deri dje na akuzonin pse nuk kemi hyrë në qeveri në kohën e formimit të saj në fillim, ndërsa nuk e vlerësuan faktin se për herë të parë në historinë pluraliste të shqiptarëve në Maqedoni një parti shqiptare që për shkaqe parimore nuk u bë pjesë e qeverisë edhe pse kishte mundësi. Më vjen keq që kemi një opinion të tillë, por secili ka të drejtë të mendojë. E sa për ata politikanët që i përmendni, ata të tillë janë. Kur vetë bëhen pjesë e qeverisë, do të thonë se e kanë mirë dhe madje do ta sheshin si patriotizëm, ndërsa kur dikush tjetër është në qeveri, do të thonë se kjo është tradhti. Libër i lexuar për ne.

Nëse do të kishte zgjedhje, cilat janë parashikimet tuaja?
Nuk dua të bëj profeci, por jam i bindur se ashtu si befasuam në zgjedhjet e para parlamentare, Besa përsëri do të jetë befasi e këndshme. Dhe, mos i dëgjoni skeptikët dhe dashakeqët, sepse ata edhe atëherë flisnin me nota negative, por pas zgjedhjeve heshtën. Ne do ta bëjmë punën tonë siç dimë dhe mundemi më mirë dhe jemi të bindur se rezultatet nuk do të mungojnë.