Gruevski thotë se i duhet Kuvendit, andaj nuk shkon në burg

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski kërkoi shtyrjen e dënimit me burgim për furnizimin e “mercedesit” luksoz.

Për lutjen e ekipit të avokatëve të Gruevskit të mos shkojë në burg, gjyqtarja për zbatimin e sanksioneve ka afat prej tri ditësh të vendos nëse do të mbështes pretendimet në lutjen dhe ta shtyjë shkuarjen e Gruevskit në burg, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Këtë avokatët e arsyetojnë me nevojën e Gruevskit për ta mbaruar mandatin e deputetit. Në nenin 89 të Ligjit për zbatimin e sanksioneve mes arsyeve për shtyrjen e mbajtjes së dënimit me burg qëndron “Nëse personi i dënuar është i obliguar të kryejë një punë të caktuar që tashmë e ka nisur, dhe për shkak të mos punës, kjo punë do të bënte dëm më të madh”.

Në pikëpyetje është se çfarë dëmi mund të ndodh, kur, nëse shihet Raporti i punës së deputetëve, Nikolla Gruevski thuajse dy vite, vetëm disa herë është paraqitur në Kuvend. Një herë gjatë fjalimit të Stoltenbergut, gjatë votimit të Ligjit për gjuhët kur nxiti incident dhe e derdhi gotën ndaj Talat Xhaferi, gjatë hapjes së procedurës për ndryshime në Kushtetutës ku kërkoi anulimin e seancës gjyqësore dhe kur votohej për fillimin e procesit.

Nga janari i këtij viti, Gruevski vetëm tri herë ka marrë pjesë në seancë, 31 herë me arsye dhe 21 të paarsyeshme dhe vetëm një herë ka diskutuar./Gazeta e Pavarur