Grubi: Rekomandim i pastër më 17 prill, me mbështetje të Gjermanisë

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi me anëtarët dhe zëvendësanëtarët e Komisionit, sot realizoi takim me homologët nga Komisioni për Çështje të BE-së pranë Bundestagut, i udhëhequr nga kryetari z. Ginter Krihbaum. Përveç z. Krihbaum (CDU), në përbërje të delegacionit ishin edhe deputetët: Herald Vejll (AfD) dhe Tomas Haker (FDP).

Grubi theksoi se vizita e kolegëve gjermanë është në kohë të duhur dhe shumë e nevojshme për vendin tonë sepse vjen nga vendi anëtar kyç i Bashkimit Evropian dhe mik i madh i Maqedonisë dhe rajonit.

Grubi i njoftoi kolegët e tij gjermanë me finalizimin e aktiviteteve reformuese të sotshme në vend në dritën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, por edhe më gjerë, në kontekst të rolit të Republikës së Maqedonisë në lidhje me bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal.

Në këtë kontekst, Grubi e përshëndeti kthimin e opozitës në punën e Parlamentit, me çka pikërisht në mbledhjen e sotme, në frymën e konsensusit dhe në interes të ardhmërisë së Republikës së Maqedonisë, do të miratohet kompleti i projekteve tjera ligjore, me çka do të finalizohen sferat kyçe reformuese.

Grubi i theksoi edhe aktivitetet të cilat ndërmerren në kontekst të tentimeve për tejkalimin e dallimit rreth emrit, si dhe në avancimin e përgjithshëm të raporteve ndërmjet dy vendeve, me ç’rast shprehu optimizëm se zgjidhja është më afër se kurdoherë. Ai theksoi se sukseset kyçe të kësaj shumice parlamentare janë finalizimi i pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit përmes arritjes së barazisë gjuhësore dhe marrëveshjes së fqinjësisë së mirë më Bullgarinë.

Në takimin me kolegët e tij gjermanë, i cili mbahet drejtpërdrejtë para shpalljes së Raportit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë, Grubi theksoi bindjen se vendi do të marrë një rekomandim të qartë dhe të pakushtëzuar për fillimin e negociatave dhe e kërkoi ndihmën gjermane për marrjen e datës për negociata këtë vit, por edhe për një ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e Korrikut të Aleancës.

Në takim, deputetët shprehën kënaqësi nga përpjekjet e ndërsjella për të futur një dinamikë të re në dialogun politik, që është në funksion të pasurimit të bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Gjithashtu u konkludua se bashkëpunimi parlamentar duhet të thellohet, u shpreh falënderimi për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe në veçanti u theksua falënderimi për mbështetjen e Gjermanisë përmes iniciativës së “Procesit të Berlinit.

Deputetët gjermanë e riafirmuan mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë lidhur me procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit, duke vlerësuar se integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE do të rezultojë me paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në vendin tonë dhe rajon.