Gjykatësja Kacarska avokatit të Jovanovskit: Do t’ju dënoj nëse e fyeni gjykatën!


Gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e gjykon lëndën për të enjten e përgjakshme në Kuvendin e Maqedonisë me 27 prill të vitit të kaluar, sot në seancë gjyqësore i tha avokatit të Vllado Jovanovskit, Stavre Xhigovit se do ta dënojë nëse e fyen gjykatën, transmeton Portalb.mk.

“Për fyerje të gjykatës pason dënimi me para. Mbahuni në atë që përfshihet në aktakuzën e lëndës, e jo të flisni se si ishte në të kaluarën. Tani ju them, për më pas ta dini”, tha Kacarska.

Procesi gjyqësor për ngjarjet e 27 prillit sot është duke vazhduar me fjalët hyrëse të mbrojtjes së të akuzuarve.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska këto gjykimi i mban me orë në ndërtesën e re të Gjykatës Penale, ndërsa për sot parashikohet të përfundojnë fjalët hyrëse të mbrojtjes.

Në dy seancat paraprake fjalë hyrëse thanë prokurorja Vilma Ruskoska dhe një pjesë e avokatëve të akuzuarve.

Prokurorja Ruskoska tha se Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka dëshmi me të cilat do t’i konfirmojë gjetjet nga aktakuza për vepër penale të bërë “kërcenim terroristik të rendit kushtetues”.

Mbrojtja thotë se nuk ekzistojnë dëshmi të cilat tregojnë për kryerje të veprës së tillë dhe sipas tyre, të akuzuarit kanë bërë terrorizëm me fjalë, e jo me vepra.