Diplomatët me vlerësime për takimin Nimic me negociuesit

Kontesti me emrin që e ka Greqia me Maqedoninë u nis nga pika e vdekur pas takimit në Bruksel mes ndërmjetësuesit Methju Nimic dhe negociuesve nga të dyja vendet. Sipas burimeve diplomatike ky është tentimi i parë për përafrimin e qëndrimeve pas ngecjes trevjeçare.

“Takimi i parë në kontestin, e vjetër pothuajse tri dekadësh, nuk mund të japë pasqyrë të plotë për gatishmërinë e Greqisë për kompromis, edhe pse të dyja palët tregojnë optimizëm për zgjidhjen e tij”, theksojnë diplomatët, duke shtuar se për momentin nuk është e dobishme të spekulohet me propozim konkret për emrin, sepse është më me rëndësi të përforcohet gatishmëria që të zgjidhet çështja.

Diplomatët vlerësojnë se pala e Maqedonisë është e gatshme për ta ndryshuar qasjen ndaj gjithë problemit dhe për të hequr dorë nga hapat me sulme dhe konfrontime si dhe afrimin drejt Greqisë, por sipas tyre, për momentin ky proces është vështirësuar nga ngjarjet me opozitën, gjegjësisht tregimi që deri tani shfrytëzohej në opinion, që vetëm kontribuonte për për përforcimin e qasjes ofensive të Athinës. Vendosja e konsensusit të brendshëm nuk është proces i lehtë, duke e pasur parasysh që një numër i madh i bartësve të vendimeve nga radhët e opozitës ballafaqohen me procedura gjyqësore, lidhur me ngjarjet e 27 prillit, ndërsa gjithashtu edhe Qeveria greke nuk ka qëndrim të përcaktuar lidhur me çështjen, duke i pasur parasysh qëndrimet për emrin e ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos.

Krahas të gjithave, megjithatë, e ditur është se Maqedonia do të jetë e përfshirë në Strategjinë për zgjerim të kryetarit të Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, e paralajmëruar për në shkurt të vitit 2018, ndërsa KE-ja mund të dalë me rekomandim për fillimin e negociatave edhe para prillit, para publikimit të raportit të tij të rregullt për progresin.

Burimet diplomatike thonë se pa dallim të rrethanave edhe të brendshme edhe të jashtme, megjithatë ekziston mundësi, që do të jetë e para pas Samitit në Bukuresht nga viti 2008, dhe se nëse në vitin 2018 nuk kapet treni nuk do të dihet në çfarë rrethanash do të shkohet në Evropë, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Ekzistojnë mundësi reale edhe Sekretariati i përgjithshëm i NATO-s të dalë me raport deri në prill për çështjen bilaterale me Greqinë edhe për procesin e reformave në vend.

Sipas Malinka Ristevska-Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane, nuk duhet të shpresojmë se zgjidhja e problemit për emrin do të vijë vetëvetiu, por se duhet të bëjmë gjithçka të arrihet deri te kjo.

“Nëse e humbim edhe vitin e ardhshëm, do të jemi në situatë të gjithë fqinjët të jenë në NATO dhe BE, ndërsa ne të mbetemi ishull i izoluar dhe problemi të ekzistojë akoma”, thotë Ristevska – Jordanova në një deklaratë për MIA-n.

Ajo vlerëson se klima është përmirësuar edhe në NATO dhe në BE, ndërsa Maqedonia u kthye në rrugën reformuese. Vlerëson se duhet pasur kujdes që të arrihet zgjidhje e cila megjithatë do të jetë e pranueshme për Maqedoninë, ndërsa nuk do të përjetohet si dështim

Edhe Alojz Peterle, deputet në Parlamentin Evropian dhe kryetar i Delegacionit të PE-së të Komitetit të Përzier Parlamentar Republika e Maqedonisë – Bashkimi Evropian në një intervistë për “European Western Balkans” vlerëson se është arritur progres në sferën për ndërtimin e besimit mes Athinës dhe Shkupit, por, siç thotë, pritet të vijojnë edhe hapa konkret.