Çifliganec: Nuk kam kërkuar asgjë nga personat në incizim, nuk ka pasur bisedë të tillë


Biznesmeni Vanço Çifliganec sot në kumtesën me shkrim i ka demantuar pohimet në incizimet e reja të bisedave mes Bojan Jovanovskit (Boki 13) dhe Jordan Kamçevit për rastin “Reket”.

“Do të doja me përgjegjësi të njoftoj opinionin se një bisedë e tillë lidhur me ndonjë kërkesë ndaj njërit nga personat që paraqiten në incizim nuk ka ndodhur, pa përjashtim, nuk jam njeri i tillë që hyn në biseda të tilla. Qasja ime çdoherë ka qenë në pajtueshmëri me rregullat ligjore. E pakuptimtë është të përmendet emri im”, qëndron në deklaratën e Çifliganecit.

Në incizimet e publikuara të gazetës “La Verita” dëgjohet  se si Kamçev thotë se Çifliganec i ka kërkuar dyqan për ordinanca stomatologjike për prokuroren e PSP-së, Lile Stefanova.

Sot edhe prokurorja Stefanova e cila e udhëheq lëndën “Perandori” ku të akuzuar janë Jordan Kamçev dhe Cvetin Pandelleski në deklaratë të shkruar shpjegon se në muajin gusht 2018 të dyshuarit Kamçev dhe Pandelleski kanë tentuar të ndikojnë në hetimin që në atë kohë ka qenë kundër tyre dhe personave tjerë duke përdorë njohjet me Çifliganecin.