Boshnjakovski: Qeveria s’ka kurrfarë lidhje me rizgjedhjen e drejtorit të RTVM-së


Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski në pres konferencën e sotme për gazetarë ka folur për rizgjedhjen e drejtorit të RTVM-së, Marjan Cvetanovski e cila si çështje shkaktoi interes për opinionin vendor.

“Qeveria nuk ka kurrfarë lidhje me këtë emërim, është vendim i Këshillit programor të RTVM-së që është ende me përbërje të vjetër. Qytetarët e Maqedonisë mirë e dinë se kush e përbën atë Këshill të vjetër dhe në ndikimin e kujt ka qenë dhe si është bërë kjo përzgjedhje. Menjëherë pas ligjit të ri për shërbime audio dhe audiovizuale do të mundësohet departizimi i këtij servisi shtetëror dhe në Agjencinë për audio dhe audiovizuale”, ka thënë Boshnjakovski, njofton Medial.mk.

Ndryshe, Bordi udhëheqës i Radio Televizionit të Maqedonisë ka mbajtur një seancë për drejtor të ri ekzekutiv, ku është rizgjedhur i njëjti që është në funksion nga 2012, Marjan Cvetanovski, ndërkaq për zëvendës të tij, gjithashtu është rizgjedhur Harun Ibraimi.