Blater dhe Murinjo personalitetet më të urryera në futboll


Ish-kryetari i FIFA-s, Sep Blater dhe trajneri portugez, Zhoze Murinjo e kryesojnë listën prej 50 njerëzve më të urryer në futboll sipas zgjedhjes së magazinës “Four Four Two”.

Në mesin e dhjetë të parëve janë portieri gjerman, Toni Shumaher (Harald Anton Shumaher), ish-kryetari i UEFA-së, Mishel Platini, gazetari sportiv Riçard kejs, Kristiano Ronaldo, ish-drejtori sportiv i Juventusit, Luçiano Moxhi, futbollisti nga Senegali, El Haxhi Diuf, pronari i MK Dons Pit Vinkelmen dhe ish-kapiteni i Anglisë, Xhon Teri.

Secili nominim ka edhe një sqarim të shkurtë humoristik. Për Blater shkruajtën: Para katër viteve, studentëve të Oksfordit u ka thënë – E di se mendoni që FIFA është makineri e pashpirt e cila shtyp para në llogari të futbollit dhe se çdo ditë shkoj i buzëqeshur kur e shoh llogarinë time bankare. Jo, tërësisht keni gabuar.

Murinjon e kanë përshkruar si “njeri i cili jeton nga zënkat dhe jeton me maksimën – nuk jam i kënaqur kur fitoj, jam i lumtur kur të tjerët humbin.

Shumaher, i cili në KB 1982 e goditi në mënyrë “të përgjakshme” Patrrik Batiston, e cilësuan si njeri i cili në anketën e një gazete parisiene fitoi para Hitlerit. Pasi që Batistoni i pafat mbeti pas atij starti pa disa dhëmbë, Shumaher deklaroi: Nëse kjo është e tëra, unë do t’ia paguaj plumbimet.

Për Ronaldon shkruan – Tërë karrierën zhvillon dy beteja – njërën kundër Mesit dhe tjetrën me perceptimin e opinionit për veten. “Ronaldo është aq narcisoid, i dashuruar në veten dhe sipas të gjitha gjasave është tmerrësisht i pakënaqur kur në stadiumin në të cilin luan nuk ka ekran të madh. Mbahet mend festimi i tij në fitoren e Realit në Ligën e kampionëve, për të cilën aspak nuk ishte meritor apo kur mu gjatë festimit, gjatë fitores portugeze në kampionatin evropian ndaloi, sepse e pa veten në ekranin e madh”, është shkruar në sqarim.

Në mesin e 40 të tjerëve janë edhe Bernar Tapi, Maradona, Luis Suarez, Diego Kosta, Eshli Kol, Roman Abramoviç, Silvio Berluskoni, Pepe, Serhio Ramos…