Besa: BDI-së i ka kaluar koha, tani ka kush u del zot shqiptarëve!


Takimi mes kryeministrit, kryetarit të shtetit dhe kryetarëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së është edhe një mospërfillje e shumicës të vullnetit të shqiptarëve në Maqedoni, vlerëson Lëvizja Besa.

Duke qenë të përkushtuar dhe konstruktiv në procesin e negociatave që po zhvillohen rreth emrit të shtetit mes Maqedonisë dhe Greqisë, ne ndjehemi të indinjuar që shumica e shqiptarëve që sot nuk përfaqësohen nga BDI janë lënë jashtë tryezës për të informuar rreth procesit të negociatave për çështjen e emrit.

Ne e kuptojmë faktin se çdo parti politike maqedonase qoftë ajo LSDM apo VMRO-DPMNE e kanë më të lehtë që të thërasin në takime BDI-në pasi që e dinë shumë mirë rolin e statistit të kësaj partie në këto procese kaq të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë, mirëpo nuk mund të kuptojmë se si ka mundësi që të mos përfshihen më shumë se 50% të shqiptarëve në këtë proces që sot nuk përfaqësohen nga BDI!? A është kjo edhe një dëshmi se pala maqedonase çdoherë do të zgjedhë partinë më të dëgjueshme dhe jo atë që përfaqëson me vota shqiptarët e Maqedonise?

Është e pakuptueshme qasja e këtyre protagonistave që po eliminojnë zërin e opozitës duke mos e ftuar partinë më të madhe opozitare të shqiptarëve në Maqedoni, pra Lëvizjen Besa në një takim me një rëndësi kaq të madhe për të ardhmen e shtetit.

Prandaj, duke u nisur nga ky fakt, i bëjmë thirje kreut shtetëror, që urgjentisht të ndryshojë qasjen e saj selektive ndaj proceseve kaq të rëndësishme politike për të ardhmen e vendit, dhe të konsiderojë votat e opozitës shqiptare si përfaqësues legjitim të shumicës të shqiptarëve në Maqedoni duke i respektuar dhe bashkëbiseduar çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

Kohërat kanë ndryshuar, tashmë shqiptarëve ka kush u del zot dhe nuk do lejojmë që përmes imponimeve apo rivendosjes të partneriteteve jo principiele dikush të shkelë mbi vullnetin dhe shumicës të shqiptarëve në Maqedoni.