Asaf Ademi propozim i Levizjes BESA për ministër Kulture


Asaf Ademi do të jetë propozimi i Lëvizjes Besa për Ministër të Kulturës. Kjo është konfirmuar nga burime brenda partisë, prej ku thonë se Ademi ka mbështetjen e kreut dhe organeve të larta partiake. Këto ditë pritet që Lëvizja Besa të publikojë edhe emrat e funksionarëve të tjerë që do të emërojë në eshalonin e dytë të Qeverisë. Ditë më parë edhe Partia Demokratike Shqiptare mori vendim pro hyrjes në koalicionin qeveritar.

Kjo parti pas mbledhjes së Kuvendit qendror, njoftoi se ka caktuar edhe emrat e dy funksionarëve të parë që do të propozohen për miratim në Kuvend. Ish deputeti Bardhyl Dauti do të propozohet për ministër pa resor, i angazhuar për investime të huaja, ndërsa Musadik Beqiri, zëvendës ministër në ministrinë për transport dhe lidhje. Edhe përkundër sjelljes së vendimeve partiake për pjesëmarrje në koalicionin qeveritar dhe nominimin e kandidatëve për bartës të funksioneve, ende mbetet e paqartë se kur do të zgjidhen ministrat dhe zëvendës ministrat e rinj në kabinetin qeveritar. Zëvendëskryeministrja Radmilla Sheqerinska, tha se kryeministri Zoran Zaev së shpejti do t’ia nis propozimet Kuvendit për votim dhe u arsyetua se vonesa ka ardhur për shkak se prioritet në këtë periudhë kanë qenë bisedimet me Greqinë për tejkalimin e kontestit rreth emrit.
Radmilla Sheqerinska

“Të gjitha zgjidhjet kyçe janë të njohura, por do të kuptoni se prioritet kishte pak edhe kjo çështja rreth bisedimeve tona me Greqinë. Do të ishte e gabueshme nëse i përqendrohemi vetëm njërës çështje dhe jo edhe tjetrës. Unë prej për një kohë të shkurtër të finalizohet rikonstruimi i Qeverisë”
Kryeministri Zoran Zaev pasi konfirmoi arritjen e marrëveshjes me Lëvizjen Besa të drejtuar nga Afrim Gashi dhe PDSH-në e Menduh Thaçit, njoftoi se është në bisedime edhe me parti dhe deputetë të tjerë me qëllim që të forcojë shumicën parlamentare dhe kabinetin qeveritar.