Anglia shkatërron Panamanë, Kane realizon het-trik


Kombëtarja e Anglisë ka fituar me rezultat të thellë 6-1 ndaj Panamasë.

Tre Luanët kanë fituar edhe ndeshjen e dytë të vlefshme për Grupin G në kuadër të Kupës së Botës “Rusia 2018”, duke barazuar Belgjikën me gjashtë pikë.
Anglezët e filluan mirë dhe në sulm ndeshjen duke shënuar vetëm pas tetë minutave lojë me anë të mbrojtësit John Stones, i cili shënoi me kokë për 1-0 pas asistimit të Kieran Trippier.

Në minutën e 22-të të ndeshjes në skenë doli kapiteni i ekipit, Harry Kane, i cili nga pika e bardhë shënoi për 2-0.
Deri në fund të pjesës së parë Anglia arriti të shënoj edhe tri gola tjerë, ku për 3-0 shënoi Jesse Lingard (36′) një gol të bukur nga distanca, pastaj ishte Stones (40′) me kokë për 4-0 dhe Kane (45′) që dërgoi skuadrën e tij në pushim me epërsi 5-0.

Në pjesën e dytë, ekipi i Gareth Southgate uli nivelin e lojës pasi nuk deshi të lodhen për ndeshjen e ardhshme, teksa të dyja skuadrat shënuan nga një gol.

Luhej minuta e 62-të kur Kane shënoi një gol me fat për 6-0 pasi devijoi një goditje të Ruben Loftus-Cheek dhe kështoi kompletoi het-trikun duke arritur në kuotën e pesë golave deri më tani.

Në minutën e 78-të të ndeshjes ishte Felipe Baloy që shënoi golin e parë në histori të Panamasë në një Botëror, duke vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes 6-1.

Në ndeshjen e radhës, Anglia luan ndaj Belgjikës, ku do të vendoset vendi i parë në grup, ndërsa Panama do të ndeshet me Tunizinë. /Telegrafi/