Aleanca dhe Lëvizja Besa reagojnë kundër djegies së flamurit shqiptar: Autorët të nxirren para drejtësisë!


Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë reaguar lidhur me djegien e flamurit shqiptar në protestën e maqedonasve kundër ndryshimit të emrit dhe kundër ndryshimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Dënojmë ashpër djegien e Flamurit Kombëtar shqiptar në qendrën e Shkupit nga protestuesit maqedonas qe protestojnë për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Ky akt vandal dhe barbar, tregon primitivizmin e disa maqedonasve qe gjithmonë për probleme tjera mundohen ti shërojnë frustracionet e tyre politike duke djegur flamurin shqiptar dhe duke ofenduar shqiptar të pafajshëm.

Bëjmë thirrje Ministrit të Policisë si dhe zëvendësit të tij Agim Nuhiut që sa më parë të gjejnë dhunuesit e Flamurit shqiptar, ti gjejnë autorët e këtij akti shoven, ti nxjerrin përpara drejtësisë dhe t’ju japin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Në reagimin e Lëvizjes Besa thuhet se djegia e flamurit kombëtar shqiptar është edhe një dëshmi se një pjesë e popullatës maqedonase për çdo gjë që ata e kanë problem edhe brenda vetes por edhe me fqinjët e tjerë vrerrin dhe urrejtjen e shprehin kundër shqiptarëve.

“Dënojmë këtë akt të turpshëm dhe vandal të një grupi që në emër të protestave po mbjell urrejtjen ndër etnike në Maqedoni.

Kërkojmë urgjentisht nga partitë politike maqedonase të distancohen dhe ta dënojnë këtë akt vandal dhe të nxjerrin para drejtësise autorët e kësaj vepre pasi që kanë ofenduar ndjenjat e shqiptarëve dhe njëherit kanë provokuar tensione ndëretnike në vend.

Rikujtojmë protestuesit dhe gjithë klasën politike maqedonase se ne shqiptarët jemi tolerant dhe kuptojmë kompleksitetin e negociatave për çështjen e emrit, por në asnjë mënyrë nuk do lejojmë nëpërkëmbjen e dinjitetit tonë dhe që për probleme që kanë të bëjnë me identitetin e maqedonasve të keqpërdoren për prishjen e marëdhënieve edhe ashtu te brishta ndëretnike në vend”, theksohet në reagimin e Lëvizjes Besa.