Ahmeti: Ligji për gjuhët, zyrtarizohet pas referendumit


Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të takimeve me qytetarët në prag të referendumit të 30 shtatorit, në komunën e Sarajit, ftoi për mobilizim maksimal për të votuar “pro” në referendumin e së dielës.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se menjëherë pas referendumit, kryeparlamentari Xhaferi bashkë me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, nënshkruhet dhe botohet në Gazetën Zyrtare edhe Ligji për gjuhët. Bojkoti, sipas tij, është mjet jodemokratik dhe është armë e atyre që nuk ia duan të mirën vendit.
“Ne nuk mund të lejojmë që në këto hapësira të luhet vallja e tjetërkujt. Vullneti ynë i fortë është që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Nuk kemi të ardhme jashtë BE-së. Duam të jemi pjesë e përparimit dhe zhvillimit, duam të jemi pjesë e Aleancës, qytetarët tanë t’i përgjigjen pozitivisht 30 shtatorit dhe të votojnë “PËR” marrëveshjen, të votojnë për NATO-n, të votojnë për BE-në, të votojnë për paqen, stabilitetin, sigurinë, ardhmërinë, sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor. Bojkoti është arma e të ligut, bojkoti nuk është kategori e demokracisë që ne e kemi instaluar në vend. Nga ne pritet që më 30 shtator t’i gëzohemi suksesit, të gjithë të dalim e të propagandojmë e të votojmë për Maqedoninë në NATO. Pas referendumit nënshkruhet nga kryeparlamentari marrëveshja e arritur në Prespë dhe Ligji për gjuhët, që të dy botohen në Gazetën Zyrtare dhe hyjnë në fuqi”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.