Zv.ministrja Elezi nga Tbilisi: Po ndjekim standardet ndërkombëtare për parandalimin е evazionit fiskal

Republika e Maqedonisë ndjek standardet dhe prirjet ndërkombëtare për parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangien e taksave, theksoi zëvendësministrja e financave Shiret Elezi në konferencën e nivelit të lartë, që mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë me titull:  “Përmirësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, Lufta kundër evazionit tatimor”.

Zëvendësministrja vuri në dukje se deri në fund të vitit 2019, Maqedonia do të zbatojë standardet e BEPS (Base Erosion and Profit Shifting).

„Këto standarde kanë të bëjnë me zvogëlimin e mundësive të evazionit fiskal duke lëvizur fitimet në të ashtuquajturat parajsa tatimore. Maqedonia gjithashtu bashkëpunon me forumin Global për Transparencë dhe Shkëmbim të Informacioneve. Si kornizë ligjore dhe bazë për parandalimin e evazionit fiskal, Republika e Maqedonisë gjithashtu përdor marrëveshjet për shmangien e taksimit të dyfishtë”, tha Elezi.

Në këtë konferencë marrin pjesë, ministri i financave i Gjeorgjisë Ivane Makavariani, guvernatori i bankës Qëndrore të Gjeorgjisë, Koba Gvenetagje, drejtori i Qendrës së politikave tatimore OECD, Paskal Sant-Aman dhe zëvendësministri i ekonomisë dhe financave të Shqipërisë, Elton Haxhi.

Në forum marrin pjesë 20 vende me më shumë se 60 pjesëmarrës, përfaqësues të ministrive të financave, bankave popullore, drejtorë të drejtorive të të ardhurave publike, përfaqësuesë të Komisionit Evropian, Bankës Botërore dhe OECD.