Zuckerberg: Ishte faji im dhe unë kërkoj falje

Shefi i Facebook, Mark Zuckerberg, la në valixhe xhinset dhe bluzën e zakonshme dhe zgjodhi të veshë një kostum të errët me kravatë ngjyrë vjollcë gjatë seancës në Senatin amerikan, ku u thirr për të shpjeguar se si të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve të Facebook arritën në duart e kompanisë Cambridge Analytica.

Në dëshminë me shkrim ai ka kërkuar falje për abuzimin me të dhënat personale të përdoruesve të Facebook.

“Ne nuk e kuptuam shkallën e përgjegjësisë tonë dhe ky ishte një gabim i madh. Ishte faji im dhe unë kërkoj falje. Ne kemi qenë shumë të ngadalshëm në procesin e të vënit re dhe në atë të përgjigjes sa i përket ndërhyrjes ruse dhe jemi duke punuar shumë për ta përmirësuar këtë gjë”, ka deklaruar Zuckerberg, sipas dëshmisë me shkrim që u botua të hënën nga Komiteti i Energjisë dhe Tregtisë të Dhomës së Përfaqësuesve, përcjell Telegrafi.

Nëse shpjegimet e kreut të Facebook nuk do të konsiderohen të mjaftueshme, Kongresi pritet të vazhdojë në miratimin e një kuadri të rreptë legjislative për të rregulluar faqet e rrjeteve sociale. Por rregullat e forta që mund t’i vendosen Facebook për të dhënat personale të përdoruesve mund të ndikojë në aftësinë e kompanisë për të tërhequr fitimet e reklamave, të cilat janë bazat e të ardhurave për Facebook. /Telegrafi/