Zaev: Shëndëtesia i takoi Aleancës për shkak të Taravarit
Kryeministri Zoran Zaev mohon zërat për riformatim më të gjërë të Qeverisë. Zaev, raporton SHENJA, tha se gjëja e vetme për çka po bisedohet në Qeveri është se kush do të vendoset në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Kryeministri ishte decid se Ministria e Shëndetësisë i është ndarë Aleancës për shqiptarët, vetëm për shkak të Arben Taravarit si më profesionisti në këtë fushë dhe jo për shkak të partisë amë. Ditëve në vazhdim do të dalin me vendimin përfundimtar se kush do të kryesojë ministrinë.
“Po bisedohet për plotësimin e vendit të ministrit të shëndetësisë pas largimit të kryetarit të Gostivarit doktor.Arben Taravarit. Kjo pasi që gjatë ndarjes fillestare të resoreve, Shëndetësia iu dha Aleancës për shkak të doktor Arben Taravarit i cili ishte i pranueshëm për mjekët gjithandej Maqedonisë. Tani flasim vetëm për atë se si ta plotësojmë këtë vend. Nuk po bëjmë kombinime të reja. Edhe disa ditë do të publikojmë kornizën e plotë të Qeverisë”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Gazetarët e pyetën Zaevin nëse ka pakënaqësi për ministrin e drejtësisë dhe punën e tij, duke aluduar në atë nëse ka mundësi që të ndërrohet, por Zaev mohoi në mënyrë kategorike këto zëra duke kujtuar se ka kaluar shumë pak kohë prej marrjes së detyrës dhe nuk mund të vlerësohet puna e dikujt për aq shkurt kohë.
“Këta njerëz kanë filluar me punë disa ditë, ose një muaj pas zgjedhjeve lokale. Deri në zgjedhje ata ishin të penguar nga për shkak të funksionalitetit dhe ndalesave ligjore. Ne të gjithë jemi në fillim. Mund të them se jam i kënaqur prej të gjithëve. Të gjithë janë të përkushtuar në punën e tyre, përfshirë këtu edhe ministri i drejtësisë. Me një proces gjithëpërfshirës u inicua reforma në gjyqësor”, u përgjigjë Zaev.
Bisedimet për riformatimin e Qeverisë kanë nisur pas zgjedhjeve lokale kur Arben Taravari dha dorëheqje për tu kandiduar për kryetar të Komunës së Gostivarit. Por prej 18 tetorit e këndej, gjithçka që jepet si njoftim nga Qeveria është se bisedimet po vazhdojnë dhe nuk jepet asnjë emër si ministër i mundshëm i shëndetësisë. Pavarësisht nëse vjen nga Aleanca për Shqiptarët ose jo. Pezull mbeti edhe propozimi i BDI-së për kandidat i cili do të plotësojë vendin e zbrazët të Ramiz Merkos në ministrinë pa resor, të paraparë për investime të huaja.
Zaev u pyet edhe për dorëheqjen e paralajmëruar të Nikolla Gruevskit, por ai shkurtimisht tha se as nuk i shkon në mendje të bëjë një vlerësim për oponentin e tij politik., dhe sipas tij, Maqedonisë i duhet një opozitë e fortë në interes të demokracisë.