Zaev: Autostrada Prishtinë-Shkup do ta përshpejtojë evropianizimin e rajonit


Autostrada Prishtinë-Shkup do ta përshpejtojë dinamikën e marrëdhënieve mes qytetarëve dhe biznesmenëve të më shumë vendeve të këtij rajoni. Lidhja infrastrukturore në masë të madhe do ta përshpejtojë evropianizimin gjithëpërfshirës të rajonit, tha kryeministri Zoran Zaev në ceremoninë e sotme me rastin e përfundimit të ndërtimit të pjesës kosovare të autostradës Prishtinë-Shkup.

Në ceremoninë solemne afër fshatit Paldenicë të Hanit të Elezit, në afërsi të vendkalimit kufitar Bllacë mes  Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Zaev tha se kjo rrugë është e rëndësishme jo vetëm për të dyja vendet fqinje, por edhe për gjithë rajonin në rrugën e tyre drejtë integrimeve evropiane, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Ai i uroi liderët e Kosovës dhe të gjithë ata që morën pjesë në ndërtimin e autostradës “Arben Xhaferi” dhe paralajmëroi se edhe Maqedonia e Veriut do t’i përshpejtojë punët e ndërtimit të autostradës nga Bllaca deri në Shkup.

“Autostrada që sot lëshohet në përdorim do të jetë motivim i fuqishëm edhe për ne që t’i përshpejtojmë përgatitjet për fillimin e punëve në autostradën Bllacë-Shkup. Këto ditë edhe te ne shpallet tender për autostradën prej 14 kilometrave në vlerë prej 120 milionë eurove. Kështu do të rrumbullakohet lidhja e autostradës mes Shkupit dhe Prishtinës dhe udhëtimi mes këtyre dy qyteteve do të zgjasë vetëm 45 minuta. Obligimi ynë është që autostrada Bllacë-Shkup, si pjesë e rutës 6 të rrjetit pan evropian i rrugëve të fillojmë ta ndërtojmë   në afatin e paraparë dhe plotësisht ta përfundojmë në kohë shumë të shpejtë”, tha Zaev.

Ai shtoi se autostrada “Arben Xhaferi” është “shpërblim për durimin dhe për lidhjet e shumta të cilat i kanë Kosova dhe Maqedonia e Veriut në çdo plan”.

“Këtë punë të madhe e vlerësojmë si tonën edhe ne në Maqedoninë e Veriut. Kjo rrugë prej sot do të jetë rruga e cila do të mundësojë lëvizjen më moderne, më të shpejtë dhe më të sigurt të qindra mijëra automobilave, qytetarëve dhe të mjeteve të tjera transportuese, të cilat sigurojnë që Kosova të jetë në mesin e top 20 vendeve me vëllim më të madh të shkëmbimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut” që kushton më shumë se 500 milionë euro”, tha Zaevi.

Ai theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan memorandum për bashkëpunim në sferën e menaxhimit të integruar të kufijve mes të dyja vendeve, do të mundësojë shkëmbim më të mirë të informacioneve, lëvizje më të shpejtë të udhëtarëve dhe mallrave mes të dyja vendeve.

Sipas Zaevit “kjo arterie moderne rrugore prej sot bëhet pjesë e sistemit të autostradave që e bën rajonin të lidhur, të afërt dhe miqësor”.

Për Arben Xhaferin, emrin e të cilit e bart autostrada, Zaevi tha se është “një nga figurat më të shquara që nga pavarësia e vendit tonë”.

“Arben Xhaferi është një nga personalitetet e shquara të cilët dhanë kontribut të madh që rajoni të jetë i lidhur dhe unik, pjesë përbërëse e vendeve sovrane, të cilët respektohet ndërmjet vete dhe e ndajnë të kaluarën në emër të së ardhmes së përbashkët evropiane.

Ai theksoi se kjo autostradë i lidh jo vetëm dy vendet fqinje por se përmes saj lidhen edhe të gjitha vendet në rajon mes vete.

“Në emër të progresit të marrëdhënieve mes vendeve, të cilat i lidhin korridoret ndërkombëtare evropiane, edhe një herë iu uroj për suksesin e madh dhe punën e madhe. Iu leni qytetarëve tuaj dhe gjeneratave të ardhshme trashëgimi të madhe dhe shumë të vlefshme, ndërsa qytetarëve të rajonit shembull dhe inspirim i cili duhet të ndiqet”, porositi Zaev.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi theksoi se dita e sotme është e veçantë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit. Sipas tij, ndërtimi i autostradës është “investim i fuqishëm”, por shumë me vlerë, sepse Kosova e lirë dhe e pavarur duhet edhe të zhvillohet.

“Nëse në të kaluarën ëndërronim për Kosovën e lirë dhe të pavarur, sot ky është realitet. Nëse dje na dukej se është e pamundur që ta përfundojmë këtë autostradë, sot këtë e arritëm. Kjo është Kosova e re, e zhvilluar, moderne dhe evropiane”, deklaroi Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se përmes kësaj autostrade Kosova ndërton ura të bashkëpunimit me fqinjët.

“Sot tregojmë se Kosova është faktor i stabilitetit e cila ndërton ura të cilat i lidhin shtetet fqinje. Lidhemi me ura të bashkëpunimit mes popujve”, tha Veseli.

Kryeministrit Zaev dhe kryeministrit malazez Dushko Markoviq, i cili gjithashtu mori pjesë në ceremoninë, Veseli iu rekomandoi se në “Kosovë gjithnjë do të gjejnë partner i cili do të jetë i veçantë dhe i sinqertë”  dhe i cili do të bashkëpunojë me popujt dhe shtetet e tyre.

“Ne ju jemi falënderues dhe gjithnjë do të jemi falënderues për kontributin tuaj pozitiv që gjithnjë e keni dhënë për shtetin tonë. Edhe ne gjithnjë do të jemi bashkëpunues dhe të mbushur me respekt për shtetet dhe popujt tuaj”, tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se autostrada “Arben Xhaferi”, “përveç që i lidh mes vete shtetet fqinje, i jep një imazh të ri gjithë rajonit”.

“Kjo rrugë na lidh mes vete dhe na afron me Evropën. Kjo jep në imazh të ri jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Shpresoj se me mikun tim Zoran Zaev do të takohemi në anën tjetër që ta inaugurojmë pjesën e mbetur të autostradës në Maqedoninë e Veriut”, tha Haradinaj.

Në këtë ceremoni urime me rastin e përfundimit të punimeve për ndërtimin e autostradës, para të pranishmëve  folën edhe kryeministri malazez Markoviq dhe ambasadori i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Filip Kosnet.

Në mesin e mysafirëve të shumtë në këtë ceremoni të pranishëm ishin përfaqësues të korit diplomatik në Prishtinë,  ministra në Qeverinë e Kosovës dhe personalitete të tjera nga jeta politike dhe publike në vend, ishin edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugarevski.

Vlerësohet se ndërtimi i autostradës e cila e lidh Prishtinën me kufirin e Maqedonisë së Veriut, e cila është e gjatë 65,5 kilometra dhe në të cilën gjendet edhe ura më e madhe në Ballkan, e gjatë shtatë kilometra, ka vlerë rreth prej 700 milionë eurove.