Xhaferi: Marrëveshja me Greqinë dhe Ligji për gjuhët bashkë do të shpallen në Gazetën Zyrtare


Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka njoftuar se nëse edhe pas votimit të dytë presidenti Gjirgji Ivanov nuk dekreton ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë atëherë marrëveshjen bashkë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve do t’i zyrtarizojnë bashkë duke nënkuptuar këtu edhe shpalljen në Gazetën Zyrtare, raporton Tv SHENJA.

Ai tha se tanimë është bërë praktikë marrja e kompetencave që nuk i takojnë andaj Kuvendit i takon që ta ndërpresë këtë praktikë.

“Ne presim që edhe pas herës së dytë nuk do ta nënshkruajë ratifikimin. Me këtë kjo më shndërrohet në praktikë dhe nuk bëhet fjalë për një rast ku presidenti merr kompetenca që si takojnë dhe nuk e zbaton Kushtetutën. Por, do të presim që të votohet Ligji për Ratifikim dhe ndoshta do të reflektojë. Por, në rast se edhe herën e dytë nuk e nënshkruan ne duhet të kemi zgjidhje si Kuvend. Nuk mund askush të na pengojë në punën tonë. Nëse dikush ka dilema për diçka atëherë ka Gjykatë Kushtetuese ku çdo qytetar mund të ngre dilema. Ne nuk mund të vendosim praktikë që kujt kur t’i kujtohet të bllokojë institucion tjetër. Ne jemi të obliguar t’i zbatojmë vendimet dhe procedurat dhe askush nuk guxon të na pengojë në kompetencat tona”, deklaroi Xhaferi.