(VIDEO) Të shtëna në Veri të Mitrovicës, plagosen 5 zyrtarë policor


Në mëngjesin e sotëm në Veri të Mitrovicës janë dëgjuar sirena të alarmit emergjent.

Njësitë e shumta policore duke përfshirë edhe SIT-in kanë nisur aksion për arrestimin e personave që dyshohen se mirren me kontrabandë në Zubin Potok dhe në pjesë të tjera të Veriut të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Ndërkohë serbët lokalë në Zubin Potok, kanë bërë barrikadë përderisa janë dëgjuar të shtëna të shumta të armëve.

Si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës pesë zyrtar policor janë plagosur. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.

“Pas katër policëve të plagosur, tani është duke u trajtuar edhe një tjetër polic i cili ka lëndime të lehta”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se aksioni i sotëm policor ka të bëjë vetëm për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër.

Pas raportimeve për aksionin e Policisë në veri, Haradinaj përmes një statusi në Facebook ka thënë se aksioni i cili po ndodhë në gjithë Kosovën i është drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar e vepra tjera kriminale.

Haradinaj ka ftuar serbët e veriut të ruajnë qetësinë e të respektojnë ligjin, pas njoftimit se policia ka hasur në rezistencë të armatosur.