(VIDEO) Haradinaj mbrohet me heshtje


Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj ka folur pas intervistimit nga Gjykata Speciale.

Haradinaj ka thënë se është mbrojtur në heshtje.

“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që mos të përgjigjem për çka jam pyetur. Këto janë procedura ligjore jo për të fsheh diçka nga publiku, por meqë ligji nuk ma lejon… “, ka thënë Haradinaj duke shtuar se ende nuk e di rolin e tij se për çka është ftuar si person i dyshuar.

Në Gjykatën Speciale është paraqitur sot edhe Jakup Krasniqi, ish-kreu i Kuvendit të Kosovës. Edhe për Krasniqin ka përfunduar marrja në pyetje.

Prokuroria Speciale, ku po merren në pyetje zyrtarët kosovarë, është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, gjatë periudhës 1998-2000. Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por statutet e saj u lejojnë prokurorëve dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë që t’i zhvendosin procedurat jashtë vendit.

Ajo u miratua me ligj në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2015-të dhe u bë funksionale në korrik të 2017-ës.