Tre raste të reja të fruthit në Shkup


Dje në Shkup janë regjistruar tre raste të reja të fruthit. Fëmijët nuk kanë qenë të vaksionuar. Bëhet fjalë për një fëmijë në moshë prej një viti e gjysëm nga lagja Çair, si dhe për një foshnjë 10 muajsh dhe një fëmijë pesë vjeç nga Qendra, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Me këto tre raste të reja, siç thonë, nga dhjetori, deri tani, në Shkup janë regjistruar 69 të infektuar me fruth.

“Për momentin 24 pacientë me morbile janë vendosur në Klinikën për sëmundje infektive. Fund i epidemisë do të shpallet atëherë kur nuk do të ketë asnjë të infektuar në periudhë prej katër javësh. Nga fillimi i epidemisë të morbileve në dhjetor dhe nga fillimi i ndalesës për pranimin e fëmijëve nëpër kopshte të cilët nuk janë vaksinuar me vaksinën MRP, deri tani janë vaksinuar më shumë se 3.400 fëmijë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, nëpër kopshtet në Shkup ende nuk pranohen fëmijë të pa vaksinuar, ndërsa inspektorët shtetëror të shëndetësisë janë në terren për të vërtetuar nëse ka kopshte që pranojnë fëmijë të pa vaksinuar, por deri tani nuk është regjistruar asnjë rast.