Trampi iu drejtua kombit për gjendjen e unitetit amerikan


Presidenti amerikan, Donald Tramp mbrëmë iu drejtua Kongresit me fjalim për gjendjet e unitetit amerikan, llogaridhënie para ligjdhënësve dhe para miliona amerikanëve për politikat e ndërmarra të pushtetit gjatë vitit që shkoi.

Fjalimi, i cili duhej të ndodhte nga fundi i janarit por ishte shtyrë për shkak të bllokadës së Qeverisë federale, zgjati një orë e njëzet minuta, ndërsa Trampi e filloi me numërimin e fitoreve politike të republikanëve, para se të arrinte tek tema kyçe, për të,  – ndërtimi i murit në kufirin me Meksikën.

“Do të bëj të mundurën që të ndërtohet”, konfirmoi ai.

Bllokimi i sërishëm i Qeverisë nuk është përjashtuar nëse nuk arrihet marrëveshje për kontroll më të fuqishëm kufitar me demorkatët, të cilët janë kategorikisht kundër ndërtimit të murit.

Tema me emigracionin ilegal është mollë sherri mes demokratëve dhe republikanëve dhe Trampi përsëriti se karvane me emigrantë po vijnë drejt kufirit jugor, që për shumë kë tingëllonte si ekzagjerim.

Theksoi edhe se qëndron fuqishëm prapa luftës kundër abortit.

Fjalimi i Trampit në përgjithësi preku një lloj forme të bashkimit – atë që e kërkonin shumë politikanë dhe vëzhgues demokratë – të hidhet poshtë politika e hakmarrjes dhe refuzimit.

Presidenti theksoi se amerikanët duhet të jenë krenarë për vendin e lartë që e kanë arritur gratë në shoqërinë amerikane – gjithnjë e më shumë gra janë në marrëdhënie pune dhe se Kongresi ka numër më të madh të grave-ligjdhënëse – rreth 1-2 përfaqësuese janë gra.

Trampi theksoi se në nivel global Amerika ka status të super yllit, të cilin e kanë zili shumë vende të tjera për shkak të fuqisë së ekonomisë dhe armatës së saj.

“Rritja ekonomike amerikane është më e fuqishmja ga të gjitha në botë, me krijimin e 600 mijë vendeve të reja të punës në industri”, tha presidenti.

Ishte e pritur që shumë të dhëna nga fjalimi i Trampit të jenë tejet të theksuara dhe të thëna në superlativ. Si edhe në shumë deklarata dhe fjalime të tjera, ashtu edhe tani, disa mediume amerikane ishin të gatshme për kontrollim të fakteve pas pohimeve të presidentit.

Kështu, për shembull, “Njujork Tajms” konfirmoi se rritja ekonomike e SHBA-së nuk ishte më e fuqishmja në botë. Polonia dhe Lituania vitin që shkoi patën rritje dyfish më të fuqishme ekonomike, e madje edhe ekonomia e Greqisë në vitin 2018 u rrit më shumë se ajo amerikane.

Trampi foli për nivelin e ulur të krimit në disa qytete kufitare si El Paso, në shtetin federal të Teksasit, pasi që ishin ndërtuar barriera kufitare. Por “CNN” konstatoi se krimi është ulur gjatë kohë para se të vendoseshin barrierat.

“Çudia ekonomike amerikane po ndodhë dhe gjërat e vetme të ialt mund ta dëmtojnë janë luftërat, ndarja partiake dhe hetimet qesharake”, theksoi Tramp, duke aluduar në hetimin e prokurorisë speciale, të kryesuar nga Robert Maler për lidhjet e përfolura me Rusinë nga fushata presidenciale e vitit 2016.

Lidhur me gjendjet dëshpëruese dhe trazirat në Venezuelë nën regjimin e Nikolla Maduros, presidenti e përmendi edhe fjalën “socializëm” dhe tha se “Amerika asnjëherë nuk do të jetë vend socialist… Ne jemi të lindur në liri dhe do të mbetemi të lirë”.

Fjalimi i presidentit për gjendjet e unitetit amerikan u bë traditë që nga koha e Ronald Reganit, presidenti dhe ligjdhënësit të ftojnë mysafirë të zgjedhur si ilustrim për ndikimin pozitiv (apo negativ) të politikave të pushtetit. Kësaj radhe, në sallën kryesore të Kongresit ishin ulur tre veteranë ushtarakë nga Lufta e Dytë Botërore, ish-kosmonauti nga misioni në Hënë, Baz Olldrin, veteranë të plagosur në luftërat në Lindjen e Afërt, dilerë të rehabilituar të drogës, të falur nga presidenti, viktima të ekstremistëve të armatosur djathtistë, e madje edhe voglushi Xhoshua Tramp, i cili ishte nënçmuar në shkollë mu për shkak se mban mbiemrin e njejtë me presidentin.

Demokratët replikuan ndaj fjalimit përmes Stejsi Abrams, funksionare partiake nga shteti federal i Xhorxhias, e cila e akuzoi Trampin për “turpin me bllokimin e Qeverisë”.