Tevdovski: Me sukses po realizohen masat nga Programi për reforma ekonomike


Ministria e Financave do të vazhdojë ta përforcojë menaxhimin me financat publike, ta përmirësojë disiplinën fiskale dhe transparencën në shpenzimin e parave publike, theksoi ministri i Financave Dragan Tevdovski në takimin me misionin e Komisionit evropian për vlerësim të Programit për reforma ekonomike (PRE) për periudhën 2019 – 2021.

Delegacionin e KE-së, kumtoi Ministria e Financave, e përbëjnë përfaqësues të drejtorive për zgjerim. për ekonomi dhe financa dhe për punësim.

“Programi për reforma ekonomike që u miratua nga ana e Qeverisë më 22 janar të këtij viti paraqet bazë për proceset kyçe reformuese që plotësisht do ta intensifikojnë dialogun tonë me BE-në. Ky është një nga dokumentet themelore për përcaktimin e prioriteteve strategjike të këtij viti të Qeverisë”, theksoi ministri Tevdovski.

Ai, gjithashtu theksoi se procesi që po zhvillohet nga ana e KE-së është mjaft i rëndësishëm për menaxhimin ekonomik të vendit. Si rezultat i aktiviteteve të ndërmarra deri më tani u realizuan shumica nga rekomandimet që ishin dakorduar në Dialogun e përbashkët ministror në maj të vitit të kaluar, shtoi ai.

Përgatitja e PRE-së është koordinuar nga ana e Ministrisë së Financave, ndërkaq i parashtrohet KE-së pas miratimit të tij, më së voni deri më 31 janar.

Në takim u bë fjalë për realizimin e konkludimeve dhe rekomandimeve të përbashkëta të miratuara në Dialogun e përbashkët ministror që u mbajt në Bruksel më 25 maj të vitit të kaluar, ndërkaq u shqyrtuan edhe prioritetet për periudhën në vijim në funksion të formulimit të rekomandimeve të mundshme të reja për politikat makro dhe fiskale dhe për reformat strukturore në shtet.

Programi për reforma ekonomike 2019 – 2021 përveç kornizës afatmesme makroekonomike dhe fiskale, parasheh edhe set prej 18 reformave kyçe strukturore sektoriale për rritje të konkurrencës dhe rritjes së ekonomisë. Masat kanë të bëjnë me tregun e energjisë dhe transportin, sektorin bujqësor, industrinë, ambientin afarist dhe uljen e ekonomisë joformale, përmirësimin e infrastrukturës dhe qasjen drejt financave për hulumtim, zhvillim dhe inovacione, lehtësimin e tregtisë, punësimin dhe tregun e punës, si dhe mbrojtjen sociale dhe inkluzionin.

Lidhur me masat që do të ndërmerren këtë vit, për shembull, tek tregu i energjisë janë kahëzuar drejt vazhdimit të aktiviteteve për rritje të konkurrencës, promovim të burimeve ripërtëritëse të energjisë dhe përmirësim të efikasitetit energjetik. Në pjesën e transportit do të vazhdojnë aktivitetet për lehtësim të kalimit tejkufitar mes Maqedonisë dhe Serbisë, ndërkaq do të implementohet edhe Sistemi inteligjent transportues (SIT) përgjatë Korridorit 10. Tek sektori bujqësor, ndërkaq, masat do të mundësojnë përmirësim të sistemeve të ujitjes, konsolidim dhe defragmentim të tokës bujqësore. Do të vazhdojnë edhe aktivitetet për harmonizim të kornizës juridike të furnizimeve publike me legjislaturën e BE-së (Acquis), më pas për zhvillim të portalit nacional për e-shërbime, si dhe për ulje të ekonomisë joformale.

Programi i këtij viti është dokumenti i pestë i këtillë, i përpunuar në pajtueshmëri me programin për punë të Qeverisë 2017-2020, strategjia e rishikuar fiskale për periudhën 2019-2021 dhe Buxheti për vitin 2019, si dhe dokumentet e tjera strategjike nacionale. Gjithashtu, programi është në pajtueshmëri me strategjinë e BE-ës për zhvillim të shpejtë, të qëndrueshëm dhe gjithpërfshirës ekonomik “Evropa 2020”.

Misioni i KE-së po qëndron në vendin tonë në kuadër të përgatitjes së dialogut të ri të përbashkët ministror që do të mbahet në maj të këtij viti, mes ministrave të financave të vendeve anëtare të BE-së me ministrat e financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të shteteve nga Ballkani Perëndimor dhe Turqisë. Qëllimi i dialogut të këtillë është të arrihet deri te propozimet për rekomandime që do të ndihmojnë për realizim të prioriteteve të projektuara në PRE. Disa nga diskutimet kanë të bëjnë edhe me ndërlidhjen e ndërmarrjeve vendore me investuesit e huaj, uljen e ekonomisë joformale dhe punësimin.