Tensionet me SHBA-në, Erdogan: Turqia do të qëndrojë e fortë


Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha para mijëra mbështetësve se Turqia do të qëndrojë e fortë ndaj tentativës për dështim ekonomik, pas tensioneve me Shtetet e Bashkuara.

Erdogan deklaroi para mijëra përkrahësve në Ankara se vendi u kërcënua nga ekonomia, sanksionet, valuta e huaj dhe inflacioni.

“Sot disa njerëz po përpiqen të na kërcënojnë përmes ekonomisë, nëpërmjet normave të interesit, këmbimit valutor, investimeve dhe inflacionit. Kam një mesazh për ata: ne i kemi parë lojërat tuaja dhe jemi duke ju sfiduar”, tha Erdogan.

Turqia po përballet me një rënie të madhe të valutës prej 38% përkundër dollarit që ka shënuar rritje. Vendi po përballet me sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me kusht të lirimit nga burgu të pastorit Andrew Craig Brunson, i cili mund të vuajë 35 vjet burg nëse dënohet për spiunazh dhe akuza të ndërlidhura me terrorizëm.