Sistemi zgjedhor patjetër të ndryshohet


Shkruan: Robert Nesimi

Gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit Maqedonia ka zgjedhur deputetë duke aplikuar sistem zgjedhor proporcional, me lista të mbyllura të ndara në gjashtë njësi zgjedhore. Në këtë periudhë janë mbajtur gjashtë zgjedhje parlamentare, me çka është akumuluar përvojë e mjaftueshme për të thënë se ky sistem ka shfaqur mangësi të mëdha dhe ka ardhur koha të ndryshohet. Ai nuk ka garantuar përfaqësim adekuat të vullnetit politik të popullit në parlament, ka prodhuar përbërje parlamentare të dobta, të dëgjueshme e të paafta për të bërë detyrat e tyre themelore dhe në përgjithësi ka dëmtuar demokracinë në vend, sidomos atë brendapartiake. Tani që është hapur debati dhe ka ardhur mundësia ndonjë sistem tjetër është mëse e nevojshme të kihen parasysh mangësitë kryesore të sistemit aktual, gjegjësisht një varg lëshimesh të tij që janë trajtuar më poshtë.

Përfaqësimi adekuat – votat e djegura.
Problem numër një i sistemit aktual mbetet mospërfaqësimi adekuat i votave, ilustruar më së miri me fenomenin e votave të djegura. Sistemi favorizon parti të mëdha ose parti me mbështetje lokale, duke penalizuar rëndë partitë e shpërndara nëpër gjithë territorin. Shpesh ka ndodhur që parti të ndryshme kanë marrur me dhjetëra mijëra vota në zgjedhje, pa arritur të sigurojnë asnjë mandat në Parlament. Për shembull në zgjedhjet e fundit janë djegur plotë 83 mijë vota apo 7% e totalit. Parti me mbi 10 mijë vota si VMRO për Maqedoni, Blloku i Tretë apo Levica kanë ngelur pa asnjë deputet. Edhe më eklatant është rasti i vitit 2011 kur janë djegur rreth 120 mijë vota, apo 11% e votave të përgjithshme. Pa deputetë mbetën parti të tilla si VMRO-Popullore me 30 mijë vota, DR me 20 mijë dhe disa parti tjera me nga 10-15 mijë vota. Ky fenomen është argumenti më i fuqishëm kundër sistemit aktual, sepse një sistem që rregullisht dhe totalisht injoron një numër kaq të madh votash assesi nuk mund të jetë fer dhe korrekt.

Shtrembërimi i rezultatit në favor të fituesve.
Ana tjetër e këtij fenomeni është fakti që sistemi jep legjitimitet të madh edhe aty ku nuk ekziston. Kështu VMRO dy herë ka arritur shumicë absolute në parlament edhepse kurrë nuk ka fituar as gjysmat e votave në zgjedhje. Në bllokun shqiptar BDI në 2016 ka fituar gjysmat e deputetëve shqiptarë me vetëm 35% të votave shqiptare, ndërsa në vitin 2011 ka fituar 60% të mandateve pa patur as gjysmën e votave. Siç e dijmë këto parti pastaj janë thirur dhe kanë qeverisur sikur të kishin legjitimitet absolut, e këtë ua ka mundësuar shtrembërimi i mandateve që e bën sistemi aktual zgjedhor.

Partitë e vogla.
Për parti të vogla që kanë mbështetje të shtrirë kudo, sistemi është masakrues. Megjithëse mund të kenë mbështetje solide, që mund të arrijë deri 30 mijë vota, ata rrezikojnë të mbeten pa asnjë deputet dhe kështu janë të detyruara të futen në koalicione me parti më të mëdha. Si[ po shihet këto ditë, ata sipas nevojës lehtë bartin lojalitetin tek blloku tjetër politik, gjë që shpërfytyron krejtësisht vullnetin e votuesve që ju kanë dhënë atyre votat.

Pabarazia e votuesve.
Përveç pabarazisë gjatë përkthimit të votave në mandate, sistemi i tashëm zgjedhor i bën votat të pabarabarta qysh pa filluar votimi. Kjo ndodh për shkak të pabarazisë së njësive zgjedhore, gjegjësisht pasi disa njësi janë më të mëdha se tjerat edhepse të gjitha zgjedhin nga 20 deputetë. Në mënyrë permanente kjo ndodh me njësinë numër 6, e cila në zgjedhjet e fundit kishte 27 mijë votues më tepër se njësia numër 3. Në të vërtetë, shikuar nga aspekti ligjor zgjedhjet e vitit 2016 dhe ato të vitit 2008 kanë qenë antikushtetuese, sepse pabarazia e njësive ka qenë mbi limitin e lejuar me ligj. Megjithëse problem teknik i cili në letër zgjidhet lehtë, vetë fakti se ndodh në mënyrë permanente flet se pabarazia e njësive është mangësi e vetë sistemit zgjedhor, që nuk do të ekzistonte fare sikur të kishim për shembull sistem me një njësi.

100 deputetë zgjidhen para fillimit të votimit.
Pasi deputetët zgjidhen me sistem proporcional me lista të mbyllura, ku renditjen e cakton partia, një numër i madh deputetësh fitojnë vende në parlament qysh kur kandidohen, para se të fillojnë zgjedhjet. Në të vërtetë në secilën njësi zgjedhore qysh përpara dihen vendet e sigurta nëpër listat e partive, ndërsa kontestuese mbesin vetëm 3-4 vende për njësi. Votuesit japin preferencën vetëm për listën, por jo për renditjen e deputetëve brenda në listë. Në praktikë kjo do të thotë se me këtë sistem zgjedhor populli zgjedh vetëm nja 20 deputetë, ndërsa 100 tjerët i kanë emëruar vetë partitë para se të fillojë votimi.

Demokracia brendapartiake.
Në një sistem i tillë ku 80% të deputetëve i emëron partia pa pyetur fare votuesit, është normale që Parlamenti mos çajë kokën fare për popullin. Preokupim kryesor i deputetit bëhet kënaqja e tekave të liderit të partisë, sepse vetëm ai ka fuqinë për t’a bërë deputet herën tjetër. Nuk është pra për t’u çuditur që Parlamenti përbëhet nga deputetë verbërisht të dëgjueshëm ndaj liderit, që kurrë nuk votojnë kundër instruksioneve të partisë. Prandaj shumica parlamentare asnjëherë nuk merr guximin të kundërshojë qeverinë dhe në vend të mbikëqyrësit e ka shndërruar Parlamentin në servis të Qeverisë. Për të njëjtin shkak demokracia brendapartiake në Maqedoni është krejtësisht e vdekur. Ky problem nuk do të zgjidhej automatikisht me ndryshim të sistemit zgjedhor, por kështu padyshim do të eliminohej një pengesë e madhe për të patur një Parlament me deputetë dinjitozë dhe demokraci të shëndoshë brendapartiake.