Ribalanci i Buxhetit në debat të komisionit


Në Kuvend filloi debati për ribalancin e Buxhetit për vitin 2019. propozimi për ndryshim dhe plotësim të Buxhetit është pika e rendit të ditës në Komisionit kuvendor amë për financim dhe buxhet, ku debati në pajtim me rregulloren zgjatë deri në 10 ditë. Propozimin e elaboroi ministrja e Financave Nina Angelovska. Mbështetje shprehën deputetët e shumicës, ndërsa për opozitën ribalanci e tregon joefikasitetin e Qeverisë dhe jofunksionalitetin e institucioneve.

Sipas propozimit, të ardhurat e përgjithshme me ribalancin e Buxhetit janë planifikuar në nivel prej 210.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë konfirmuar në vlerë prej 228,3 miliardë denarë. Në kuadër të shpenzimeve dhe të ardhurave të planifikuara, deficiti mbetet i pandryshuar lidhur me planifikimin me Buxhetin bazë, gjegjësisht është pozicionuar në vlerë prej 17,7 miliardë denarë ose 2,5 për qind nga BPV-ja.

Sipas Angelovskës, alokimi i mjeteve atje ku do të ketë efikasitet më të madh dhe ku mund  të arrihen  efekte  më të mëdha ekonomike, është  qëllimi i ribalancit të propozuar të Buxhetit,  që prej sot është në rend dite  të Komisionit kuvendor amë për financim dhe buxhet.

“Nga ky ribalanc për qytetarët sigurojmë  përkrahje  për paga më të larta për të punësuarit në sektorin privat, paga më të larta për të punësuarit  në administratën publike, më shumë mjete për përkrahje të masave aktive për punësim të qytetarëve të papunë, dhe përfundimisht,  për më pak se tre muaj për herë të parë qytetarëve do t’u kthehen  paratë e para përmes projektit TVSH-ja Ime. Ndërsa ky nuk është përfitimi i vetëm nga ky projekt, sepse përmes projektit TVSH-ja Ime qytetarët direkt e ndihmojnë luftën për zvogëlim të ekonomisë gri”, theksoi Angelovska.

Ajo shtoi se qëllimet e parashtruara për vitin 2019 tërësisht janë kahëzuar në funksion të arritjes së prioriteteve kyçe të shoqërisë: shkallë më të larta të rritjes së ekonomisë, rritje të punësimit produktiv, ngritje të standardit jetësor të popullatës, arritje të nivelit më të lartë të së drejtës sociale dhe intensifikim  të proceseve integruese për BE-në dhe NATO-n.

Me ribalancin e buxhetit janë ndarë 400 milion denarë për subvencionim të rritjes së pagave në sektorin privat,  200 milion denarë për masa aktive për punësim,  mjete shtesë për përkrahje të bujqësisë, 193 milion denarë për furnizim të ilaçeve për sëmundje të ralla dhe insulinë, 193 milion denarë për mbrojtje të sistemit kolektoral të Liqenit të Ohrit, për pagesë të kthimit të TVSH-së…

Për shkak të realizimit të dobët të investimeve kapitale të caktuara  nga 25,9  miliard të planifikuara janë zvogëluar pozita të caktuara te të ardhurat kapitale të shfrytëzuesve buxhetor te të cilët është evidentuar  dinamikë e zvogëluar e realizimit. Zvogëlimi i tërësishëm i investimeve kapitale arrin 50 milion euro.

Është parashikuar edhe transfer për Fondin e sigurimit pensional dhe invalidor, përkatësisht 815 milion denarë  ndaj shoqatave pensionale nga shtylla e dytë pensionale.

Debati në Komision, sipas Rregullores kuvendore zgjat 10 ditë,  pas së cilës Propozimi shkon  në seancë plenare. Në propozim  janë dorëzuar  391 amendamente.