Rama mbron Thaçin: Kush ngre dorë ndaj tij është gomar


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot në Pejë se kush ngre dorë ndaj presidentit Hashim Thaçi është tradhtar. Rama u pyet në lidhje me idenë e presidentit të Kosovës për korrigjim të kufirit ku sipas kryeministrit të Shqipërisë tha se nuk mund të ecet gjithmonë me takime ku bëhen vetëm fotografi. Ai tha se duhet ndarë shapi nga sheqeri.

“Për mua asgjë nuk duhet përjashtuar. Hashim Thaçi është president i vendit dhe komandant i Ushtrisë. Kush ngre dorën drejt Hashim Thaçit është tradhtar, tradhtari është gomar”, tha ai.

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj  tha se kush mendon se do të merr tokë prej Kosovës e ka shumë gabim.

Haradinaj në këtë konferencë theksoi nëse kufijtë nuk i pëlqejnë dikujt në Ballkan ma së shumti kanë të drejtë shqiptarët, por sipas tij, atëherë të flitet për kufijtë e krejt shqiptarëve e jo vetëm për një pjesë që duhet të hiqet Kosovës, e kamufluar në emër të korrigjimit apo demarkimit.

“Kush mendon se merr tokë prej Kosovës e ka gabim. A ke i Kosovës, Shqipërisë a ke kushdo qoftë. As një metër nuk merret më, a ke ai Ramushi, Edi Rama a Hashim Thaçi a kushdo tjetër, gabon rëndë. Kjo është tokë e shqiptarëve e larë me gjak. 17 shkurti nuk preket më. Duhet ta dijë gjithkush këtë… Ne s’mund t’i hapim vendimet tona… E kemi marrë vendimin më 17 shkurt 2008. Nuk ka shtyrë kush me zor, e kemi marrë prej vullnetit të lirë. Na ka njoft Shqipëria në këta kufij, na ka njoft Amerika, pse na me hap veten? Kur është gati Serbia me na njoft, mirë se vjen… Nuk presim prej të tjerëve, Kosova është e popullit të vet, e kombit të vet dhe e aleatëve, por nuk presim, ne do t’i kryejmë punët tona… Kjo nuk i dedikohet një individi dhe apo forcave politike por është gabim të mendohet në zgjidhje territoriale mes Kosovës e Serbisë”, u shpreh kryeministri i Shiqpërisë, Edi Rama.

Në fund në foto ata kanë dalë duke bërë shenjën e shqiponjës me dy duar. Por ajo që vihet re është se ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu,  është e vetmja nga radhët e dy qeverive e cila nuk e ka bërë shqiponjën.