Rakiq: Lista Serbe del nga Qeveria e Kosovës, më 20 prill formojmë Asociacionin

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se Lista Serbe do të dalë nga Qeveria e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, qeveria në Prishtinë më nuk do të ketë mbështetjen e Listës Serbe dhe se “serbët tash do të bashkohen rreth interesave të vet sidomos kundër shqiptarëve”.

Këto komente Rakiq i bëri në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ndodhi një ditë pas arrestimit të drejtorit të të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuriq në Mitrovicën Veriore, transmeton Klan Kosova.

Kryetari i Listës Serbe, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Lista Serbe nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Përveç kësaj, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, Rakiq ka bërë të ditur se nesër në veri të Mitrovicë do të mbajnë një takim me përfaqësues të të dhjetë komunave me shumicë serbe.

“Më 20 prill do të formojmë ASK-në, pesë vjet pasi vendimi është marrë në marrëveshjen e Brukselit”, ka shtuar Rakiq.

Ai ka vënë në dukje, se për këtë e kanë edhe mbështetjen e Beogradit.

Sipas mediave serbe, ministri i Qeverisë së Kosovës, Dalibor Jevtiq ndërkaq ka thënë se vendimi për largimin nga qeveria u miratua njëzëri.