Pas sulmit terrorist, Zelanda e Re ndalon armët automatike dhe gjysmëautomatike


Të gjitha armët ushtarake gjysmëautomatike, armët automatike dhe sharzherët me kapacitet të madh do të ndalohen në Zelandën e Re pas sulmit në dy xhamitë në Krajstçërç, në të cilin e humbën jetën 50 persona, kumtoi sot kryeministrja Xhasinda Ardern.

“U njoftoj se Zelanda e Re do t’i ndalojë të gjitha armët gjysmëautomatike të këtij lloji. Do t’i ndalojmë edhe armët automatike”, theksoi Ardern.

Ajo paralajmëroi se reforma në ligjin për mbajtje të armëve do të publikohet në afat prej 10 ditëve pas sulmit në xhamitë dhe do të hyjë në fuqi nga 11 prilli.

“Më 15 mars histori na ndryshoi përgjithmonë. Tani do të ndryshojë edhe ligji. Sot ndërmorëm aksion në emër të gjithë banorëve të Zelandës së Re që ta përforcojmë rregulloren rreth kontrollit të armëve dhe ta bëjmë shtetin tonë më të sigurt”, potencoi ajo në konferencën e sotme për media në Uellington.

Propozimi për reforma në ligjin për posedimin e armëve do të prezantohet në parlament në javën e parë të prillit. Për të hyrë në fuqi, deputetët duhet të votojnë për të ndryshuar Ligjin aktual të armëve të vitit 1983.

Ndërkohë, guvernatori i përgjithshëm i Zelandës së Re Petsi Redi nënshkroi urdhër për riklasifikimin e disa armëve gjysmë automatike në “armë ushtarake”. Si rezultat i kësaj shumë njerëz që posedojnë ligjërisht armë zjarri nuk do të mund  t’i mbajnë ato sipas kushteve të reja për licencë.

Vendimi për ndalimin e armëve automatike dhe gjysmëautomatike u mirëprit shumë mirë nga ana e banorëve të Zelandës së Re. Dhe pa pritur që ligji të miratohet, ata kanë filluar të heqin dorë nga armët e tyre.