Paraqitet Gruevski, njofton se ka fituar azilin politik në Hungari


Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski përmes profili të tij në Facbuk ka njoftuar se shteti i Hungarisë i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës së tij për azil.

“Sot Republika e Hungarisë, vende anëtare e BE-së deh NATO-s iu përgjigj pozitivisht kërkesës sime paraprake për marrjen e azilit politik për shkak të përndjekjes qç po më bëhet në Republikën e Maqedonisë”, ka njoftuar Gruevski para pak minutave.

Ai thotë se Qeveria e tashme e Maqedonisë, e udhëhequr nga LSDM-ja e Zoran Zaevit, dëshiron t’ia marrë lirinë “duke përdorur hapa dhe metoda jodemokratike dhe duke e keqpërdorur sistemin prokurorial dhe gjyqësor në Maqedoni”.

Gruevski nga gjykatat e Maqedonisë është i dënuar me dy vjet burg në një lëndë të Prokurorisë Speciale Publike për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa kundër tij po zhvillohen procese edhe për disa lëndë të tjera me të njëjtën akuzë.

Para 10 ditëve, në kohën kur duhej të paraqitej për vuajtjen e dënimit në burgun e Shutkës, Gruevski u arratis dhe përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, me ndihmën e diplomatëve hungarezë, shkoi në Budapest, ku kërkoi azil politik.