Një grua humbi jetën në një aksident në autostradën Tetovë-Gostivar


Në përplasjen e dy automjeteve në traun e pikës së pagesës në autostradën Tetovë-Gostivar në mëngjes humbi jetën një grua 51-vjeçare nga Kërçova, informoi Sektori i Punëve të Brendshme – Tetovë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:45.

“Në pikën e pagesës që është në afërsi të Tetovës midis dy kabinave ndodhi një aksident rrugor mes dy automjeteve. “Mercedes” me targa të Ohrit i drejtuar nga një grua 51-vjeçare, banore e Kërçovës dhe “folsvagen tuareg” me targa të Dibrës i drejtuar nga një 37-vjeçar, banor i qytetit. Për shkak të përplasjes së dy automjeteve në vend jetën e ka humbur gruaja nga Kërçova e cila ka qenë vetëm në automjet”, deklaroi Marjan Josifovski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.

Shoferi i automjetit tjetër, si dhe tre bashkudhëtarë prej 32, 36 dhe 62 vjet kanë marrë lëndime të ndryshme trupore dhe janë transferuar në spitalin e Klinikës së Tetovës.

“Për shkak të seriozitetit të lëndimeve të gjithë janë mbajtur për mbikëqyrje në spital”, tha Josifovski.

Kontroll në vendin e ngjarjes kanë bërë nëpunësit e SPB-së në Tetovë dhe prokuroria publike. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i gruas është dorëzuar për autopsi. Policia filloi hetimin për caktimin e arsyeve për aksidentin.